Ndahet tragjikisht nga jeta Talay Riley, bashkëpunëtori i Dua Lipës dhe Britney Spears!

Bota e muzikës është tronditur nga lajmi i vdekjes së Talay Riley, fitues i çmimit Grammy dhe bashkëpunëtor i disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë muzikore. Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Mark Orabiyi, u gjet i vrarë me thikë në një pronë në zonën e Silvertown, në lindje të London. Ai ishte 35 vjeç.
Sipas Policisë Metropolitane, Riley u gjet të premten në mëngjes me plagë të shumta nga thika në kopshtin e një banese. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës, ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se një burrë në të 20-at është transportuar në spital me plagë të rënda, por jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, tre persona u arrestuan në lidhje me ngjarjen, por më pas u liruan në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Familja e artistit reagoi me një deklaratë prekëse, duke e përshkruar atë si “një djalë, vëlla dhe mik të dashur”, që shpërndante dashuri, dritë dhe gëzim te të gjithë ata që e njihnin.
“Do ta kujtojmë gjithmonë për mirësinë dhe shpirtin e tij të jashtëzakonshëm”, thuhet në reagimin e familjes.
Edhe vëllai i tij ndau një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke e cilësuar humbjen si “të pabesueshme dhe shkatërruese”.
Gjatë karrierës së tij, Talay Riley bashkëpunoi me artistë të njohur ndërkombëtarë si Britney Spears, Dua Lipa, Jessie J, Ellie Goulding, Chris Brown dhe H.E.R.. Ai njihej si një prej kantautorëve dhe producentëve më të vlerësuar të brezit të tij, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në muzikën moderne.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.

