Mami, tezja dhe gjyshja 80-vjeçare preken nga kanceri, Donjeta Zeqa tregon historinë familjare
Presidentja e "Europa Dona Albania" Donjeta Zeqa në emisionin “Jeto me Orën” në RTV ORA tregoi se si u bë drejtuese e shoqatës dhe ndau historinë e familjarëve të cilët janë prekur nga kanceri i gjirit.
Donjeta Zeqa: E gjitha ka nisur për shkak të mamit. Ne jemi pjesë e një koalicioni evropian. Si rregull duhej që drejtues i një shoqate të tillë duhet të jetë vetë pacienti ose një familjar. Kur e nisa isha vetëm 23 vjeç. Dhe pse isha e re botëkuptimin për sëmundjen e kisha shumë të madh pasi ka qenë diagnostikuar dhe tezja. E ka mundur dy herë. Kam shumë raste në familje. Kam të gjitha arsyet e botës për të luftuar për këtë kauzë. Sensibilizimi për të kapur në kohë sëmundjen është gjë e madhe. Gjyshja ime u përball para disa muajsh me këtë situatë. Në moshën 80 vjeçare u diagnostikua me kancer.
Ajo tregon se vetë i ka dhuruar flokët për gratë e prekura nga kanceri i gjirit dhe thotë se këtë gjë mund ta bëjnë dhe djemtë.
Donjeta Zeqa: Ka pasur dhe djem që kanë dhuruar flokët. Na shkruajnë gjatë gjithë vitit. Unë i kam dhuruar vetë flokët e mi. Unë kam pasur mamin me kancer gjiri tani është mirë. Atëherë nuk kisha mundësi ti dhuroja flokët e mi apo ti gjenim një paruke natyrale.