Lëkura juaj po ndryshon?! Mund të jetë shenjë që po i afroheni menopauzës...

Kur kaloni në menopauzë, estrogjeni pakësohet dhe lëkura fillon të humbasë elasticitetin, duke krijuar rrudha dhe gushë të rënë. Nëse shikoni që lëkura juaj nuk ka më njolla, por ju duket e tërhequr dhe e thatë pas pastrimit, kjo mund të jetë një shenjë e rënies së mëtejshme të estrogjenit, pra, po i afroheni menopauzës. Për t’i hedhur benzinë zjarrit, për lëkurën bëhet më e vështirë të ruajë lagështinë. Pra, njollat mund të zhduken, por lëkura mund të bëhet më e thatë, të plasaritet e të kruhet.
Kur hyni në menopauzë, hormonet janë ende të luhatshme dhe mund të mbetet ndonjë njollë, por, në këtë fazë, në përgjithësi lëkura priret të jetë më e thatë dhe më e zbehtë. Përveç rasteve kur mjeku specialist jua jep me recetë, kursejini paratë dhe shmangini produktet që premtojnë ndalimin e afsheve të nxehta ose që do t’ju “rregullojnë” lëkurën në menopauzë. Nëse lëkura është e thatë dhe pa shkëlqim, kryesorja është rikthimi i lagështirës. Kjo nuk do të thotë që duhet të kërkoni një hidratues të pasur, përveç rasteve kur lëkura juaj ndihet shumë e thatë dhe ju kruhet. Çdo hidratues me bazë uji mund të funksionojë shumë mirë.
Mos shpenzoni shumë për një maskë detoksifikimi me argjilë. Bëni të kundërtën. Kërkoni një maskë hidratuese. Nëse keni një festë të rëndësishme, një trajtim i mirë me vaj mund të ndreqë gjithçka shumë shpejt. Kërkoni produkte me ceramide dhe peptide. Gjeni produkte të buta dhe qetësuese, që nuk do t’jua acarojnë lëkurën. Gjatë ditës, lëkura gjatë periudhës së menopauzës reagon mirë ndaj qumështit dhe kremrave pastrues, hidratuesve me spraj ose një hidratuesi të mirë. Mos anashkaloni kremin mbrojtës nga dielli, me SPF, për të mbrojtur lëkurën! Gjatë natës, përsëriteni rutinën e ditës pa aplikuar SPF. Gjëja kryesore është ta dëgjoni lëkurën tuaj, të kuptoni se ç’mund të përballojë ajo.


