Fituese e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, 14 vjeçarja që botoi 4 libra: Në fillim u bullizova, mendonin se poezitë mi shkruante mamaja

Në pjesën e dytë të emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV Ora ishte e ftuar Sibora Huda. Ajo është vetëm 14 vjeç dhe deri më tani ka botuar 4 libra me poezi. Ajo rrëfeu për publikun në studio momentin e saj të parë kur nisi të shkruaj.

“Kam qenë 6 vjeç, kur kam nis të shkruaj për herë të parë poezi e më pas në zhanerin e prozës. Ndërsa, në moshën 8 vjeçare kam botuar librin tim të parë me poezi “Ditari im”. Ndër personat më mbështetës për mua, ka qenë padyshim mami”, u shpreh Huda.

Më tej ajo u ndal tek libri i saj i parë. Për të cilin tha se kur e lexoj sot, më duket sikur se kam shkruar unë.

“Kur lexoj tani librin tim të parë, më duket sikur nuk jam unë. Pasi, tashmë mendoj ndryshe, dhe gjërat vendosen në kontekste të ndryshme. Të gjithë mendonin se Bora nuk del, nuk argëtohet, duke menduar se rri gjatë gjithë kohës duke shkruar. Madje njerëzit thoshin se Bora është një fëmijë i ndrydhur, por jo. Unë mendoj se kohë kam për të gjitha edhe për të dal, por dhe për të shkruar”, tha ndër të tjera ajo.

Ndër të tjera, 14 vjeçarja u shpreh se në fillimet e para të saj ndihej “e bullizuar”, pasi njerëzit e paragjykonin duke mos besuar tek talenti i saj.

“Kam rënë shumë edhe pre e paragjykimit, pasi shumica e njerëzve nuk e besonin se shkruaj unë këto poezi, pasi ata mendonin se i shkruan mamaja ime. Libri i tretë më pëlqen më shumë, pasi mendoj se përshtatet më shumë me realitetin, dhe nuk është aq abstrakt sat ë tjerët”, tha ajo.

Ajo gjithashtu u shpreh se të shkruarit është thjeshtë pasion dhe dëshirë, pasi në shkollë ishte më mirë në lëndët mësimorë shkencore, sesa tek ata letrare.

“Unë në mësime jam më mirë tek lëndët ekzakte, madje i dua ata, pra mendoj se nuk ka ndikuar letërsia dhe gjuha në procesin e të shkruarit. Kjo është thjeshtë një dëshirë e imja dhe pasion”, tha ndër të tjera 14 vjeçarja.

Gjithashtu 14 vjeçarja është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

EMISIONET