Çfarë duhet të hajë një fëmijë 6-muajsh?
Në muajin e 6, bebet fillojnë të konsumojnë ushqime dhe kjo fazë është delikate si për fëmijën ashtu edhe për prindërit.
Fillimi i ushqyerjes duhet të bëhet gjithmonë në vaktin e drekës.
Dieta ushqimore e fëmijës duhet të përmbajë:
1.Qumësht gjiri ose formule i cili është shumë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Në asnjë mënyrë nuk duhet t’i jepni fëmijës qumësht lope.
2.Perime të cilat mund të jenë: kungulli, patatja, karrota.
3.Frutat janë gjithashtu shumë të rëndësishme dhe ju mund t’i jepni fëmijës mollë, dardhë, banane, kumbull.
4.Drithërat mund të jenë: miell misri, miell orizi, miell tërshëre, miell gruri. Këshillohet që mielli i grurit të mos fillohet para muajit të 6-të pasi përmban gluten. Pas këtij muaji në supën e fëmijës mund të shtoni edhe makarona bebesh të posaçme për këtë moshë.
5.Vaj ulliri dhe në asnjë mënyrë yndyrë me origjinë shtazore.
6.Djathë bebesh ose parmixhan me stazhionim të lartë.
Që ta bëni të plotë një vakt të fëmijës duhet të përgatisni një supë e cila duhet të përmbajë: drithërat, proteinat (në këtë muaj mund të merren nëpërmjet djathit), purenë e perimeve, vajin e ullirit. Pra në momentin që keni zier perimet i kulloni dhe i fruloni. Pasi keni përgatitur një pure disi të hollë duhet të shtoni pak miell misri, tërshëre, orizi, një lugë të vogël djathë parmixhan si edhe pak vaj ulliri.
Në qoftë se fëmija nuk është ngopur mund ti jepni një pure frutash. Mos harroni se pas çdo vakti fëmija duhet të konsumojë ujë.