Faleminderit që na bëre të ëndërrojmë përmes Tomkës! Shuhet në moshën 57-vjeçare aktori Enea Zhegu

Faleminderit që na bëre të ëndërrojmë

Ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare aktori i njohur, Enea Zhegu.

Ai ka qenë pjesë e disa prej filmave më të bukur shqiptar si “Lulëkuqet mbi mur”, “Njeriu me top”, “Një jetë më shumë”.

Por famën do merrte te filmi "Tomka dhe shokët e tij" ku kishte rolin kryesor.

Filli i kujtimeve të bukura për Enean u ndërpre me mbarimin e filmit “Një jetë më shumë”, të regjisorit Gjergj Erebara. Pas tij nuk do të kishte më filma të tjerë.

Miqtë në rrjetet sociale kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta në moshë të re.

"Sa e trishtë është kjo ikja jote prej turravrapi në këtë fundpranvere o Artist i lindur, #ENEA #ZHEGU…! E luajte edhe dramën e ikjes pa kthim, njësoj si tek personazhet e roleve në filmat e tu aq të mrekullueshëm, kaq mbresëlënës, të cilat do të mbeten përgjithmonë të gjalla në kujtesën e publikut, të paharruara për të gjitha brezat. Ti ike duke bashkëudhëtuar në heshtje për vite me radhë, në një betejë me dhimbjen që të shkaktonte sëmundja tekanjoze e kapricioze, por asnjëherë dhe në asnjë çast nuk e lëshove veten, sepse jetove si qëndrestar stoik në përballje me atë flamë që pak nga pak kafshonte pjesë nga trupi yt vital…! Shpesh i padrejtë dhe i pamëshirë tregohet fati me Njeriun, por ti i shpërfille të dyja këto, sepse dite të ishe sfidant okatar dhe jetove si një artist i pazakontë deri sa dhe frymën e fundit… Por, e trishtë gjithsesi mbetet kjo ikja jote për të gjithë të afërmit, miqtë dhe adhuruesit e tu që i kishe pafund, kudo nëpër Shqipëri…. Lamtumirë Ena…. Pusho në Paqen tënde qetësinë e merituar…!" shkruan Ilir Çumani.

"Ndonjëherë mjafton vetëm një riol që të kthehesh në legjendë. Tomka i dashur nga te gjithe, Tomka i lirisë, Tomka që ngriti peshë zemrat e të gjithëve, edhe për ata që e njihnin... veç nga ekrani. Do mbetet Tomka jonē simbol i brezit qe kerkoi ndryshimin. Faleminderit qē na bëre të ëndërrojme permes Tomkës! R.I.P Enea Zhegu" shkruan Anila Çobani.

"Tomka nuk vdes kurrë!Po duan të thonë se ka mbyllur sytë përjetë Enea Zhegu!Dhe bashkë me të edhe Tomka ynë!Jooooo!Enea mund të ketë vdekur edhe pse nuk kishte moshë,por Tomka kurrë nuk vdes!As sytë e Enea Zhegut në ballin e Heroit të fëminisë tonë!" shprehet Ilir Kadia.

EMISIONET