Elektrizuan “America's Got Talent”, vëllezërit Balla për Ora News: U ftuam në 2019, Cirkun që u prish në Shqipëri e sollëm në SHBA

Dy vëllezërit shqiptarë, Arton dhe Arnold Balla kanë dhuruar spektakël në emisionin e shumë përfolur “America's Got Talent”.

Së fundmi nga Amerika ata kanë dhënë një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, ku treguan se morën ftesë nga emisioni I famshëm për të performuar.

Ata thanë se ndihen shumë të lumtur dhe krenarë pasi në një emision të tillë është e vështirë të zgjidhesh në audicione e jo më për të performuar.

Vëllezërit u shprehën se ftesën e kanë marrë që në 2019, por për shkak të pandemisë emisioni nuk u bë, por megjithatë ftesa për ta nuk u dogj, pasi “Balla Brothers” mbrëmjen e djeshme (12 Korrik) elektrizuan sallën “America's Got Talent”.

“Nisi që në vitin 2019. Ne patëm nje ftesë që të ishim pjesë talent show-ut më të madh në botë. Por ngaqë ra pandemia, u desh që ta shtynim për një moment tjetër. Ky moment ishte viti 2022. Eventet tona kanë qenë më së shumti në Evropë. Nisëm nga Shqipëria e dolëm në Europë dhe si duket ata dëgjuan për emrin tonë dhe ne morëm një ftesë për të qenë pjesë e TV show. Të pranohesh në audicionet e tyre është e vështirë e jo më të performosh.”

Ata thanë se përfaqësuan Shqipërinë ndërsa u shprehën se cirku në vendin tonë nuk ka vëmendjen e duhur.

“Ne nuk erdhëm si Balla Brothers në Amerikë, por ne përfaqësojmë Shqipërinë. Cirkun që u prish në Shqipëri e sollëm në Amerikë, për t’i sjellë vëmendjen e duhur”- shprehen ata.

Të rinjtë, ose siç e quajnë vetën ata “Balla brothers” janë akrobatë dhe përdorin çdo mjet të mundshëm për të vendosur në funksion artin e tyre. Vëllezërit e kishin mbajtur të fshehtë performancën deri në momentin që dolën në skenë.

Me materiale shumë të thjeshta si dërrasa, topa tenisi dhe një tubë uji, vëllezërit mbrëmë, ngritën sallën në këmbë me performacën e tyre.

Mediat amerikane kanë shkruar se vëllezërit Balla, janë të njohur në vendin e tyre për numrat e tyre me një biçikletë, patina e çdo mjet tjetër.

Përgatiti Anila Kolgjini.

EMISIONET