Adoleshentët që flenë herët dhe gjatë kanë tru më të mprehtë
Një studim i ri nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë tregon se adoleshentët që shkojnë në gjumë më herët dhe flenë më gjatë kanë tru më të zhvilluar dhe dalin më mirë në testet mendore.
Studimi përfshiu më shumë se 3000 të rinj dhe përdori pajisje Fitbit për të mbledhur të dhëna objektive mbi kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit.
Të rinjtë u ndanë në tre grupe, bazuar në sa flinin dhe kur flinin.
Grupi i parë, që përfaqësonte 39% të pjesëmarrësve, flinte mesatarisht 7 orë e 10 minuta dhe shkonte më vonë në shtrat.
Grupi i dytë (24%) kishte zakone mesatare të gjumit.
Grupi i tretë (37%) shkonte në gjumë më herët, flinte pak më gjatë, rreth 7 orë e 25 minuta, dhe kishte rrahje më të ulëta të zemrës gjatë natës.
Edhe pse diferenca në gjumë mes grupeve ishte vetëm rreth 15 minuta, studiuesit vunë re dallime të dukshme në rezultatet e testeve të fjalorit, leximit, zgjidhjes së problemeve dhe përqendrimit.
Grupi i tretë kishte gjithashtu vëllimin më të madh të trurit dhe funksionin më të mirë të tij, ndërsa grupi i parë kishte rezultatet më të ulëta.
Profesorja Barbara Sahakian theksoi se kjo periudhë e jetës është shumë e rëndësishme për zhvillimin e trurit, dhe se gjumi i mirë luan një rol kyç.
Ajo shtoi se edhe ndryshime të vogla në zakonet e gjumit mund të kenë ndikim të madh në shëndetin mendor dhe aftësitë njohëse të të rinjve.
Ekspertët rekomandojnë që adoleshentët të flenë nga 8 deri në 10 orë çdo natë për zhvillim optimal të trurit dhe mirëqenie të përgjithshme.