Kabineti i Libanit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Bejrut për një periudhë dyjavore pas shpërthimit të së martës që shkatërroi pjesën më të madhe të portit të qytetit. Nga shpërthimi u vranë të paktën 113 persona dhe rreth katër mijë janë plagosur

Kabineti gjithashtu ra dakord të vendosë në arrest shtëpie të gjithë zyrtarët e portit të Bejrutit që janë marrë me dopozitimin e mallrave dhe me sigurinë që nga viti 2014. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga burime ministrore.

Nuk është e qartë se sa zyrtarë do të përfshihen ose të cilit nivel do të jenë ata.

Arresti shtëpiak do të jetë nën mbikëqyrjen e ushtrisë, derisa të përcaktohet se kush e mban përgjegjësinë për shpërthimin e madh të së martës, thanë burimet.

Megjithëse shkaku zyrtar i shpërthimit është i panjohur, Presidenti libanez Michel Aoun në një postim në Twitter tha: “Unë nuk do të jem i kënaqur derisa ta gjejmë personin përgjegjës për atë që ndodhi dhe ti japim dënimin më të rëndë, sepse është e papranueshme që një dërgesë e nitrat amonit që vlerësohet se peshonte 2750 tonë të ketë qenë e pranishme për 6 vjet në një depo pa marrë masa parandaluese për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve.”

Ngarkesa 2,750 tonëshe ruhej në port pas konfiskimit nga një anije në vitin 2013 dhe besohet se shpërtheu pas një zjarri që kishte nisur aty pranë.

Shpërthimi solli një valë goditjeje me forcën e një tërmeti të shkallës 3.5. Ai ishte më i madhi që ishte parë ndonjëherë në Bejrut, një qytet i cili ka qenë shkatërruar më parë nga lufta civile e viteve 1975-1990. Qyteti ka qenë bombarduar në konfliktet me Izraelin dhe është goditur herë pas here nga sulme terroriste.

Kryeministri Hassan Diab u takua të martën mbrëma me Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, duke shprehur mbështetjen e tij për ata që ai i quan “dëshmorë” dhe një shërim të shpejtë për të plagosurit. Ai gjithashtu bëri thirrje për formimin e një komisioni hetimor.

Zoti Diab e ka shpallur të mërkurën një ditë zie në Liban.

Një stacion televiziv libanez tha se zyrtarët dyshojnë se nitrat amoni i magazinuar në port mund të ketë qenë pjesë e shpërthimit. Njerëzit njoftuan se kishin parë një re ngjyrë portokalli mbi vendin e shpërthimit. Ekspertët thonë se retë e tilla zakonisht shoqërojnë shpërthime që përmbajnë nitrat amoni.

Një zyrtar izraelit menjëherë tha se Izraeli nuk kishte lidhje me shpërthimin. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Libanit janë të tensionuara sepse grupi terrorist Hezbollah, i bazuar në Liban është përqëndruar përgjatë kufirit jugor me Izraelin.