Disa zyrtarë të Libanit janë vënë nën arrest shtëpiak teksa vijojnë hetimet për katastrofën humanitare që krijoi shpërthimi i fuqishëm i dy ditëve më parë. Të paktën 157 persona humbën jetën dhe 5 mijë të tjerë mbetën të plagosur në kryeqytetin Bejrut.

Qeveria libaneze i ka dhënë hetuesve katër ditë kohë për gjetjen e përgjegjësive për shpërthimin e fuqishëm të ditës së martë, dhe ka urdhëruar arrestin shtëpiak për disa zyrtarë.

Forcat e kërkim-shpëtimit vijuan punën për nxjerrjen e personave të zënë poshtë rrënojave nga vala goditëse.

Pasojat katastrofike i pa nga afër të enjten edhe presidenti francez, Emanuel Makron, pas takimeve me zyrtarët e lartë të shtetit.

Në vendin e Lindjes së Mesme të mbërthyer nga kriza financiare dhe së fundmi edhe pandemia e koronavirusit, Makron premtoi reforma për rimëkëmbje me të gjithë aktorët politikë.

Lëvizjen e tij përkrah presidentit vendës, Mishel Aun, e shoqëruan turma të irrituara qytetarësh, të cilët bënë thirrje kundër qeverisë dhe kreut të shtetit, dhe i kërkuan t’i japë fund regjimit aktual të akuzuar prej muajsh si i korruptuar.

“Në ditët që vijnë do të organizohemi në nivel Evropian për të mbledhur fonde. Vizita ime këtu është një mundësi për dialog të sinqertë me liderët politikë dhe institucionalë. Ju garantoj se ndihmat tona nuk do përfundojnë në duar të korruptuara. Të gjitha forcave politike do u propozoj një pakt, sepse ky shpërthim duhet të shënojë një epokë të re.”

Shpërthimi në depon ku ruhej një sasi prej 2,750 tonë nitrat amoni apo plehu kimik u mori jetën dy ditë më parë të paktën 157 banorëve të Bejrutit dhe la 5 mijë të tjerë të plagosur.

Përpos jetëve të humbura dhe shkatërrimit infrastrukturor, bashkë me godinat përreth u dëmtua të martën edhe një prej reparteve kryesore të bojës në vend, që e ka lënë Libanin me më pak se një muaj rezerva gruri për popullsinë.

Teksa në kryeqytet është shpallur gjendja dyjavore e jashtëzakonshme, më shumë se 300 mijë banorë kanë mbetur pa shtëpi dhe dëmet llogariten deri 15 miliardë dollarë.

Si masa lehtësuese në këtë periudhë krize, banka qendrore e Libanit u ka sugjeruar degëve private të japin kredi pa interes në dollarë për qytetarët dhe bizneset e prekura.