Disa zyrtarë të Libanit janë vënë nën arrest shtëpiak teksa vijojnë hetimet për katastrofën humanitare që krijoi shpërthimi i fuqishëm i dy ditëve më parë. Të paktën 135 persona humbën jetën dhe 5 mijë të tjerë mbetën të plagosur në kryeqytetin Bejrut.

Qeveria libaneze ka urdhëruar vendosjen në arrest shtëpiak të disa zyrtarëve që pretendohet se janë përgjegjës për shpërthimin e fuqishëm të ditës së martë.

Zjarri në një depo ku ruhej një sasi prej 2,750 tonë nitrat amoni apo plehu kimik u mori jetën të paktën 135 banorëve në portin e kryeqytetit Bejrut dhe la 5 mijë të tjerë të plagosur.

Forcat e kërkim-shpëtimit vijuan edhe të enjten punën për nxjerrjen nga rrënojat të çdo personi të zënë poshtë godinave nga vala goditëse.

Presidenti i vendit, Mishel Aun, falënderoi një ditë më parë vendet fqinje dhe nga e gjithë bota për solidaritetin dhe paralajmëroi hetim të paanshëm të tragjedisë.

“Nuk ka fjalë për ta përshkruar katastrofën që i ndodhi Bejrutit, që e transformoi atë në një zonë fatkeqësie. Një hetim sa më i shpejtë duhet t’i ndëshkojë përgjegjësit.”

Në kryeqytet është shpallur gjendja dyjavore e jashtëzakonshme, ndërsa mes qytetarëve është rritur pakënaqësia ndaj autoriteteve për keqadministrimin e sasisë së madhe të kimikateve që prej vitesh ishin sekuestruar nga një anije dhe mbaheshin afër godinave të tjera.

Përpos jetëve të humbura dhe shkatërrimit infrastrukturor bashkë me godinat përreth u dëmtua të martën edhe një prej reparteve kryesore të bluarjes së grurit në vend, duke e lënë Libanin përkohësisht me më pak se një muaj rezerva të grurit për banorët.

Më shumë se 300 mijë banorë kanë mbetur pa shtëpi dhe dëmet në kryeqytet sipas guvernatorit të tij llogariten deri 15 miliardë dollarë.

Organizata për të drejtat e njeriut, “Amnesty International” ka bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe apolitik të ngjarjes, ndërsa komunitetit ndërkombëtar i ka apeluar ta përkrahë Libanin me ndihma humanitare në një kohë kur përveç krizës ekonomike, përballet edhe me një sfidë si koronavirusi i ri.