Një dorë e lidhi me zinxhir në shtyllën para bashkisë Lezhë ku valëvitet flamuri kombëtar, e me tjetrën mbante një pankarta  ku denonconte problemet me pronat dhe drejtësinë sipas tij të munguar.

Protagonisti i protestës së veçantë u identifikua si Huanito Martini, i cili pretendon se në Balldre të Lezhës, i janë zaptuar dhjetra hektarë tokë, për të cilat tregon edhe dokumente.

“Me këto vjedhje të tmerrshme që po bëni në prona. Duhet të vijë kryetari i bashkisë këtu edhe të më japë një përgjigje reale se nuk e gëzon askush pronën e babait tim, ku ka lindur babai im,” tha Martini.

Ai akuzon zyrtarët lokal si të lidhur me hajdutët e pronave dhe kërcënon me grevë urie nëse problemi i tij nuk merr zgjidhje.

“Është e drejta ime se është një pronë që ka 300 vjet familja ime që jeton në kodër të Balldrenit, por cubat vetë i kanë dhënë prishje vendimit edhe vetë nuk e zbatojnë prishjen e vendimit,” shtoi ai.

Huanito Martini qëndroi i lidhur me zinxhir para Bashkisë Lezhë për rreth 30 minuta dhe u desh ndërhyrja e policisë për ta larguar.

Bashkë me dy persona të tjerë që ishin më të u shoqëruan në komisariat e policisë Lezhë me pretendimin se veprimi i tij ishte i paligjshëm.