Policia e Kosovës ka arrestuar dy gra dhe një burrë nga Shqipëria, për shkak se nuk kanë respektuar masat anti-covid. Mësohet se personat janë arrestuar në Fushë-Kosovë dhe gjatë arrestimit burri ka bërë rezistencë ndaj policisë. Sic shihet dhe në video ka nisur dhe një përleshje në të cilën janë përfshirë edhe gratë. Tre shtetasit janë shoqëruar drejt komisariatit gjithashtu kanë marrë edhe trajtim mjekësor. Të lënduar kanë mbetur edhe dy efektivë të policisë.

Njoftimi i plotë:

“Sonte, më 20.08.2020, rreth orës 22:45, një patrullë policore derisa ka qenë duke patrulluar në rrugën ‘Dardania’ në F.Kosovë, në zbatim të masave për parandalim të përhapjes së pandemisë, ka ndaluar një qytetar i cili nuk ishte duke zbatuar vendimet e institucioneve shtetërore për parandalim të përhapjes së pandemisë. I njëjti ka qenë pa maskë dhe ka refuzuar, penguar dhe ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë në kryerje të detyrës. Në rast kanë ndërhyrë edhe dy femra. Policia ka shoqëruar në stacion policor tre persona (një mashkull e dy femra, shtetas të Shqipërisë). Dy zyrtarët policorë dhe tre personat e tjerë, kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u trajtuar edhe në këto çaste në polici”,thuhet nga policia e Kosovës.