Që prej fillimit të krizës migratore në Europë në vitin 2015, banorëve të ishullit grek të Lesbosit u është dashur të mësohen me jetesën bashkë me mijëra refugjatë që strehohen afër tyre.

Me djegien totalisht të kampit të madh të Morias javën e kaluar, qeveria greke ndërhyri duke ngritur të tjera çadra të përkohshme për ish-banorët e mbetur në rrugë.

Në fshatin bregdetar të Panagiodës, vendasit presin që kampi i ri të paraqesë të njëjtat probleme për ta sikurse kampi i Morias që disa nga emigrantët dyshohet se e dogjën vetë në shenje proteste për kushtet e këqija dhe në rrethanat e izolimit prej koronavirusit.

Banorët kërkojnë largimin përfare të emigrantëve drejt vendeve të tjera të Bashikimit Europian.

“Problemi është se vijnë këtu dhe na shkaktojnë dëme. Nuk ka për të kaluar shumë kohë dhe kanë për ta djegur edhe kampin e ri. Tani mund të gjesh mbase dy veta që dalin bashkë natën, sepse kanë frikë. Zgjidhja do ishte që secili nga 27 vendet e BE-së të ndajnë mes tyre nga 400 emigrantë.”

“Është për të ardhur keq por nuk mundemi më. Për mua kampi i ri do sjellë të njëjtat telashe si i vjetri. Duhet t’i kishin vendosur në një ishull të shkretuar ku nuk ka njerëz të tjerë. Për më tepër, as ata vetë nuk duan të rrinë. Është problemi i tjetërkujt pse ndodhen këtu.”

Presidenti i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel, vizitoi të martën ishullin e Lesbosit dhe premtoi zgjidhje për situatën me të cilën përballen si emigrantët, edhe banorët dhe shteti grek.

Deri tani në Bashkimin Europian mungon kompromisi për çështjen e ndarjes së përgjegjësisë për dhjetëra mijëra emigrantët që strehohen në Greqi dhe Itali.

“Është një sfidë e përbashkët europiane. Brenda muajit, Komisioni Europian ka për të dalë me propozime të reja, konkrete dhe duhet të zotohemi për të qenë më efikasë. Sigurisht do duhet të avancojmë edhe me kontrollin e kufijve.”

Qeveria konservatore greke është treguar e vendosur për ta adresuar problemin duke hequr këtë vit rreth 13,500 banorë nga kampet e Lesbosit, ndërkohë që më shumë se 4,200 të ardhur të rinj nga Afganistani, Afrika apo Siria u shtuan në regjistrat e ishullit grek vetëm në 2020-ën.