Shpopullimi vijon  të jetë një fenomen shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin në terësi.

Eksperti i ekonomisë, Majlind Lazimi, me shqetësim e sheh largimin e elitës së vendit.

Për Ora News, ai thotë se një pjesë e shtresës së mesme të shoqërisë, është e shqetësuar dhe nuk ka shpresë më që ky vend do të bëhet më mirë.

Lazimi: Është fenomen shqetësuar që për hir të së vërtetës nuk është i ri, por vitet e fundit ka pasur rritje. Në fakt kjo është diçka që po ndihet dhe në shumë vende të tjera të BE-së ndërkohë si Bullgaria së fundmi. Rasti i Shqipërisë është më specifik, sepse po ta shikosh faktori ekonomik është dominant. Në këtë kuptim ne fatkeqësisht kemi një dominim të rrezikshëm të tre fenomeneve, kemi rritje të moshës mesatare, lindshmëri të ulët dhe së treti emigracioni, t’i bësh bashkë formohet shpopullimi.

Po ta vesh re nga vitit ’90-të e deri më tani emigrimi ka sjellë benefite, sepse ka sjellë dërgesa kaq shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, tashmë po vuajmë nga një lloj mpakje të shtyllës kurrizore, sepse nuk kemi vetëm emigrim të shtresave të ulëta por edhe atyre elitare. Kjo është shqetësuese. Ka një pjesë të mesme të shoqërisë, e cila është e shqetësuar dhe nuk ka shpresë më që ky vend do të bëhet më mirë.

Kjo është më shqetësuese nga këndvështrimi im. Nëse ne do të investojmë për 10 vite tek një doktor, marr parasysh këtu shkollimin e tij, këtë doktor e merr falas Gjermania. Nëse kemi 400 mijë shqiptarë, që kanë emigruar në vitet e fundit, flas me statistika, kjo e përkthyer në vlerë monetare, nëse ne kemi një prodhimi i përgjithshëm bruto 5-6 mijë dollarë për frymë, shumëzojmë me 300-400 mijë shqiptarë që nuk janë sot, ka një kosto për shoqërinë shqiptare rreth 1.5 miliardë euro.