Në Shkodër iu dha lamtumira e fundit aktorit Anton Krosaj që u nda nga jeta në moshën 54-vjecare! Pandemia ndalon homazhet, ndaj kolegët e bashkëpunëtorë e përcollën me duatrokitje në ndalesën e fundit para teatrit Migjeni!

Në skenën ku u ngjit për 17 vite nuk mundën t’i jepnin lamtumirën siç do ta kishte merituar, pasi pandemia i ka bllokuar të gjitha ceremonitë.

Por duartrokitjen e fundit kolegët dhe bashkëpunëtorët ndër vite ja dhanë në oborrin e teatrit “Migjeni”, shtëpisë së dytë të aktorit Anton Krosaj.

Ikja e parakohshme e tij si pasojë e një sëmundje të rëndë i ka pikëlluar kolegët dhe miqtë me të cilët ndau momente të shumta jo vetëm në skenë si aktor, por edhe në jetën e përditshme.

Zef Deda, Mjeshtër i Madh: ”E dashuroi aq shumë artin, skenën. Na gëzoi zemrat të gjithëve, por na hidhëroi, shkoi shumë shpejt.”

Rita Gjeka, drejtoreshë e teatrit “Migjeni”: ”Dhimbja është shumë e madhe sepse e para ishte i ri, kishte shumë për të dhënë. Së dyti, kur nuk je në gjendje ta nderosh ashtu siç e meriton.”

Arben Mazi, producent: ”Kjo është një fatkeqësi e madhe për Shkodrën por edhe për të gjithë Shqipërinë.”

Anton Krosaj mbylli sytë në moshën 54-vjeçare, ndërsa vuante nga një sëmundje e rëndë!