Lamtumirë Alket! Miku dhe kolegu ynë

Është ndarë sot nga jeta, Alket Metko, një ndër operatorët më aktivë dhe me kontribute disa vjeçare në disa media audiovizive të vendit.

Alketi u nda nga një sëmundje e pashërueshme që e mundi në pak muaj duke lënë në pikëllim të thellë familjen, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dhjetra bashkëpunëtorë të tij.

Alketi ndau përvoja profesionale me disa kanale dhe studio të prodhimit televiziv në vend. Për disa vite Alketi ka qenë dhe bashkëpunëtor në emisionin investigativ “Alarm” dhe “BOOM” i Ora News. Ai ishte një operator i papërtuar që mbajti në fokusin e kamerës së vet ngjarje, episode, protagonistë dhe detaje imazhesh që kanë lënë gjurmë në mendjen dhe kujtesën e audiencës shqiptare.

Alketi ka qenë ndër bashkëpunëtorët e paharruar për shumë gazetarë të redaksive te ndryshme televizive si dhe për dhjetra homologë të tij në mediat e vendit.
Ai ishte prind i dashur dhe i dhembshur i pesë fëmijëve të tij, nga të cilët u nda në moshë të re, duke i lënë në një kohë të vështirë.

Me dhimbjen e largimit të parakohshëm nga jeta dhe me forcën e solidaritetit si koleg e miq, i shprehim familjes Metko ngushëllimet për të gjetur forca dhe kurajo në përballimin e kësaj humbjeje të pazëvendësueshme qe la Alketi i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. I paharruar qoftë kujtimi i tij!








EMISIONET