Lamtumira për Dhimitër Orgockën, bashkëkohësit: Ishte gur themeli në skenën e artit

Në Korçë iu dha lamtumira e fundit aktorit e regjisorit, Dhimitër Orgocka, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Bashkëkohësit e vlerësuan si ikonë të artit shqiptar e më të rinjtë thanë se do të çojnë para amanetin e tij artistik.

Aktorit e regjisorit, Dhimitër Orgocka, lamtumirën e fundit ia dhanë në tempullin e artit në Korçë.

Ashtu siç ndodhte kur ngjitej në skenë, miqtë, kolegët e familjarët e përshëndetën me duatrokitje.

Bashkëkohësit e cilësuan si gurë themeli jo vetëm për skenën korçare.

"Ikonë e vërtetë, ai brez që ka vënë gurë në themelet e skenës korçare. E kam njohur që kur hyri me pantallona të shkurtra dhe deri tani sa u plak nuk ju nda skenës."

Zamira Kita si drejtore e Teatrit të Korçës, por dhe përfaqësuese e brezit të ri u zotua për amanetin artistik të Dhimitër Orgockës.

"Ai është heroi i të gjitha veprave që ka vënë në skenë, i ka vënë vulën regjisë së teatrit shqiptar. Ai e donte shumë dhe e mbështeste shumë dramaturgjinë shqiptare dhe ne do ta kemi si një amanet ta çojmë më tej."

Regjisori dhe aktori i njohur korçar, Dhimitër Orgocka, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

I nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”,  ai numëron 82 role në skenat e teatrove shqiptare, si edhe 104 premiera në teatër si regjisor.

Ndërsa një nga pengjet që mori me vete ishte rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës në Maliq, i djegur në 2016 që mban emrin e tij.

Kultura Lajme Teatër korce lamtumira Dhimitër Orgocka

EMISIONET