Në një intervistë për RTV Ora, profesori Roland Lami u shpreh se të dyja kampet e mëdha politike, janë përqendruar për t’i folur publikut se sa për t’i folur me njëri-tjetrin.

Lami tha se ajo çfarë po na e mban këtë traditë edhe në këto zgjedhje, nuk janë opozita dhe pozita, por mazhoranca dhe presidenti që po e shpenzojnë këtë energji.

Lami: Vë re që të dyja kampet e mëdha politike, janë përqendruar për t’i folur publikut se sa për t’i folur me njëri-tjetrin. Më shumë shpenzohet energji për t’iu drejtuar kundërshtarit politik. Ajo çfarë po na e mban këtë traditë edhe në këto zgjedhje, nuk janë opozita dhe pozita, por mazhoranca dhe presidenti që po e shpenzojnë këtë energji. Mendoj se edhe opozita do t’i rikthehet sulmit të qeverisë, nuk do të ngelet vetëm në kuadër të batutave, por mendoj se kjo do të ndodhë me afrimin e ditëve të zgjedhjeve, në atë që quhet si baltëhedhje.

Me duket e vështirë për një zbatim marrëveshjeje mes dy partive kryesore për mos atakim. Më duket se opozita ka zgjedhur strategjinë e saj, ndërsa qeveria ka nisur me rindërtimin dhe vaksinimin e popullatës. Nuk besoj se kjo është si pasojë e një marrëveshjeje, por si një fashë të fushatës. Javët e fundit para zgjedhjeve do të jenë më ndryshe. Qeveria nuk garon me program, por me bilanc. Në mungesë të këtij bilanci tenton që ta justifikojë punën me akte që janë intensifikuar këto muajt e fundit. Me ato që ka bërë këto 8 vite të lë dyshime se çfarë mund të bëjë diçka të re në një mandat të ri kjo qeveria.

Për Lamin, mazhoranca po tentojnë që të krijojë një bilanc këto 2-3 muajt e fundit, ndërsa programi i opozitës duket më shumë si dëshirë.

Lami: Opozita dhe LSI ka shpalosur një program dhe tenton që të prekë të gjitha fushat, por nëse i futesh një analize të ftohtë, e bën më shumë një inflacion në kuptimin e premtimeve, se sa mund të zbatohet. Jemi në mes të dy ekstremeve; nga njëra anë mungesë bilanci dhe që mundohen që të bëjnë bilanc në këto 2-3 muajt e fundit dhe nga ana tjetër kërkohet një program me më shumë dëshira.