Që prej vitit 1997 dhe deri tani zona e ish fabrikë së çimentos në Vlorë nuk ka ndryshuar aspak pamje, ndërsa 500 familje vuajnë çdo ditë mungesën e infrastrukturës.

Jetojnë mes mbeturinave, kanaleve me ujë të ndotur, kanaleve të ujërave të zeza dhe banorët shprehen se ata dhe gjithë zona kanë mbetur shpesh herë peng e premtimeve elektorale, të cilat nuk realizohen asnjëherë.

“Tani është e vështirë që të kalosh në këmbë,” thotë një banor.

“Jemi në harresë, shiko sa familje jemi,” thotë një banore.

“Ne që kemi lindur dhe u plakëm këtu, nuk kemi asgjë. Urdhëro, nuk është nevoja të flasësh,” thotë banori tjetër.

Situatë shqetësuese gjatë ditëve me shi, ku ujërat kulluese që mbërrijnë nga mali dalin në sipërfaqe dhe përmbytin shtëpitë.

“Ky kanal mbyt dynjanë,” thotë banorja.

Në prag të këtyre zgjedhjeve atyre u është premtuar se kjo zonë do të rehabilitohet, por banorët kanë dyshimet e tyre se situata do të ndryshojë.

“Po normale. Deputetët vijnë vetëm kur bëhet fjalë për vota, pastaj shkojnë,” thotë banori.

“Nuk del njeri fare këtej, s’na pyet njeri. Sa herë kemi bërë ankesa…kemi frikë, po çfarë do bëjmë, ku do shkojmë?” shprehet e moshuara.