Kuvendi i republikanëve, rikandidohet Trump për një tjetër mandat si president

Kuvendi i republikanëve, rikandidohet Trump për një tjetër

Republikanët amerikanë kanë nisur kuvendin e tyre kombëtar duke apeluar publikun t'i japin presidentit Donald Trump një shans të dytë në krye të shtetit. Për ta vendi gjendet para disa rreziqeve më pak se tre muaj nga zgjedhjet presidenciale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikojnë kthimin në socializëm, rrënimin ekonomik dhe degradimin në anarki nëse amerikanët nuk e rizgjedhin sërish Donald Trampin për president.

Me këto mesazhe, republikanët e SHBA-së hapën të hënën Kuvendin e tyre Kombëtar ku formalizuan edhe rikandidimin e kreut të shtetit për një mandat të dytë presidencial.

Në natën e parë, folësit e vunë theksin te kërcënimi që i kanos vendit një fitore e demokratëve dhe ardhja në zyrën ovale e ish-presidentit Xho Bajden.

Djali i kreut aktualisht të shtetit, Donald Trump i Riu, e etiketoi Bajdenin si vegël të Pekinit që komandohet realisht nga radikalët e majtë.

"Komuniteti i shërbimit informativ vlerëson se Partia Komuniste kineze mbështet kandidaturën e Bajdenit. Ai dhe e majta radikale po vijnë për të na marrë lirinë tonë të fjalës, për të na marrë paratë nga xhepi dhe për t'i mbajtur ato brenda pellgut politik. Atje ai qëndron prej gjysmë shekulli dhe e nxjerr kokën ndonjëherë vetëm kur do të kandidojë për president."

Figura të Partisë Republikane trajtuan edhe çështjet e ditës, si situatën me pandeminë dhe veprimet e presidentit Trump që evituan një tragjedi të përmasave edhe më katastrofike, folën për axhendën ekonomike të katër viteve të ardhshme dhe denoncuan valën e protestave kundër policisë dhe racizmit, pas vrasjes së afroamerikanit Xhorxh Flojd në fund muajin maj.

Temat i trajtoi ish-ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Niki Hejli.

"Shumica e Partisë Demokratike tani për modë pretendon se Amerika është raciste. Kjo është gënjeshtër. Unë personalisht jam vajza krenare e dy emigrantëve indianë, im atë atëkohë me turban dhe ime më me shami, dhe u rrita si një vajzë me lëkurën kafe në një botë bardhezi. Ne vlerësojmë dhe respektojmë jetën e çdo personi me ngjyrë."

Kuvendi i Republikanëve njësoj si demokratët një javë më parë u mbajt pa prezencë publiku për shkak të frikës së infeksioneve nga koronavirusi.

Presidenti Trump pritet të flasë të enjten në përmbyllje të konventës, ndërsa edhe në natën e parë pati një dalje të papritur ku bisedoi me stafin e shërbimit postar, me infermierë dhe me oficerë policie për sfidat e luftës dhe punës në kohë pandemie.

EMISIONET