Njësoj si kryeministri Edi Rama, edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nuk ka dhënë një përgjigje se cili ka qenë shteti që na i ka dhënë dozat e para të vaksinës anti-covid.

E ftuar këtë të enjte në emisionin PolitikOn nga Alfred Lela në RTV Ora, Spiropali tha se qeveria nuk ka thënë asnjëherë se vaksina ka ardhur nga Gjermani dhe sipas saj, shteti që na i ka dhuruar me të drejtë kërkon që mos i publikohet emri pasi ka hall se do i kërkojnë doza vaksine dhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e BE-së.

Lela: Cili shtet na i ka dhënë vaksinën?

Spiropali: Të jeni të sigurt që vaksina është e sigurtë, është nga një vend i BE-së, mbahet në kushte të sigurta, kjo ju intereson juve.

Lela: Ka në dukje një përpjekje për të fshehur diçka që s’ka pse të fshihet? Gjermanët dolën dhe thanë që s’kemi qenë ne.

Spiropali: Po s’tha njëri mo që është gjerman. Ku e nxorët që janë gjermanët? Ju vetë i nxirrni, vetë i fshihni, vetë thoni pastaj që s’kanë qenë gjermanët, se se kemi thënë thënë ne që ishte gjermane. Nga asnjë burim qeveritar nga kryeministri nuk është thënë.

Lela: Nga media pranë qeverisë?

Spiropali: Nga media pranë jush. Media i nxjerr, pastaj i interpreton, pastaj thotë që nuk paska qenë e vërtetë. Në asnjë moment prej qeverisë shqiptare dhe kryeministrit nuk është thënë që vaksina ka ardhur nga Gjermania. E dyta, është bërë përpjekje e jashtëzakonshme, kur të gjitha qeveritë, sidomos të vendeve që nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe strategjike siç jemi n, të marrin vaksinënë, kur po rrinë në radhë.

Shqipëria ka mundur, e para në Ballkan, që të sigurojë një marrëveshje me “Pfizer”, që është kompania prodhuese. Dhe tjetra, ka mbërritur që përtej politikës së BE-së, në këtë këndvështrim, që ne mendojmë se ishte e gabuar për Ballkanin Perëndimor dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por e thonë dhe qeveritë e tjera.

Në këtë rast ne arritëm që të gjejmë një marrëveshje, t’i besohet qeverisë Shqiptare nga një qeveri e vendeve të BE-së për të ardhur një sasi e caktuar vaksinash në mënyrë që trupa jonë e heronjëve, mjekëve dhe më pas me radhë ata që janë të moshuar, ata që kanë sëmundje etj, të mund të vaksinohen dhe qeveria ka bërë detyrën në mënyrë ekzemplare, kryeministri Edi Rama ka negociuar personalisht.

Vendi i BE-së me të drejtë nuk do që t’ja publikojmë emrin se shumë të tjera që s’janë pjesë e BE-së do t’i kërkojnë që t’i marrin vaksinën.