Albin Kurti ka kërkuar nga Bordi i AKP-së që të mos hapë valë të reja të privatizimit pasi ato janë në kundërshtim me vendimet në fuqi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Bordi i AKP-së është krejtësisht i paligjshëm dhe po synon keqpërdorimin e vakumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e qeverisë. Gjithashtu ai ka paralajmëruar dhe masa ndaj bordit.

“Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucionalë dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi”- shkruan Kurti.