Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është përfshirë në debatin e fundit në lidhje me fyerjet që viktimave shqiptare të luftës po i bëhen nga kriminelët serbë, të cilët vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre shtetërore në Serbi.

Në një postim në Facebook, Vuçiç shkruan se ‘ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiçin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçse e kanë gabim’, duke iu referuar kështu një deklarate të Presidentit Hashim Thaçi më herët sot gjatë ditës.

Ky i fundit ka theksuar se deklarata fyese të Daçiç dhe Vulin për viktimat civile të luftës, të vrarë nga regjimi i Millosheviçit, janë provë se Serbia ende nuk i ka ndryshuar politikat e saj fashiste, dhe se veprime të tilla dëmtojnë dialogun dhe minojnë përpjekjet tona të përbashkëta për pajtimin.

Postimi i plotë në facebook

Dëgjoheshin hapat e shpejtuar të gardianëve poshtë e lart. Na e ndalën edhe energjinë elektrike në pavijonin VI të burgut ‘Zabela’ në Pozharevc. Drejtoria nuk dëshironte që ne të dëgjonim radion. Beogradi ishte përfshirë nga demonstrata masive kundër Milosheviqit. Pozharevci ku ne shqiptarët mbaheshim rob lufte ishte vendlindja e tij.

20 vjet më parë, më 5 tetor 2000, u rrëzua Slobodan Millosheviq nga pushteti. Ai ishte përgjegjës për shkaktimin e katër luftërave në ish Jugosllavi, vdekjen e rreth 150 mijë jo serbëve, dhe për gjenocidin mbi popullin boshnjak dhe shqiptar.

5 tetori ndodhi, mirëpo në Serbi asnjëherë nuk erdhi 6 tetori. Ra Milosheviçi si personalitet politik, por ai nuk u braktis si politikë e Serbisë. Përkundrazi, dy vjet e gjysmë më vonë u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndërsa sot Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit: Maja Gojkoviç e cila ishte zv.kryeministre në kohën e tij sot është Kryetare e Kuvendit të Serbisë; Ivica Daçiç, i cili ishte zëdhënësi i partisë së tij sot është Ministër i Punëve të Jashtme; ndërsa sekretari i atëhershëm i Partisë Radikale të Sheshelit, partnere kjo e koalicionit me Milosheviçin, si dhe ministri i informatave në qeverinë e asaj kohe, Aleksandar Vuçiç, sot është President i Serbisë.

20 vjet më vonë, sot në Serbinë ‘demokratike’ ka shumë më pak opozitë sesa kurdoherë në dekadën e diktaturës së Milosheviçit.

Ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiçin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçsë e kanë gabim.