Mungesa e ujit po çon drejt braktisjes fshatin Shtyllas në Fier. Si pasojë e mungesës së ujit, banorët e kësaj zone prej 30 vitesh vazhdojnë ta sigurojnë atë duke e blerë apo në puset që kanë hapur në banesat e tyre.

Gezetarja e Ora News, Inelda Vallja, ka raportuar nga fshati Shtyllas se aty ka edhe shumë problematika të tjera, që lidhen me infrastrukturën rrugore, e cila mungon në të gjitha rrugët e brendshme të lagjeve të këtij fshati.

Ky fshat po braktiset nga banorët nga dita në ditë.

“Fshati Shtyllas ka pasur 400 familje, tani janë 75 familje. Kur kërkojnë votat thojnë shumë, por në fund nuk bëjnë asnjë gjë”, tregon banori.

Një tjetër problematikë për banorët e këtij fshati, të cilët kultivojnë tokat e tyre bujqësore është mungesa e mbikalimit në autostradë, e cila ndan në mes tokat e tyre bujqësore. Ato detyrohen të udhëtojnë rreth 10 kilometra për të shkuar në  tokat e tyre, të cilat i kanë lënë të pakultivuara për shkak të mungesës së këtij mbikalimi.

“Ky fshat ka pasur gati 1.500 hektarë fushë,  lulëzonte në të gjitha anët, vaditej kollaj, ndërsa tani ka mjete të shkëlqyera, ndërsa në këtë fshat nuk ka asgjë”, tregon banori.

Dikur, ky fshat është përdorur si një kamp internimi, por banorët thonë se në ditët e sotme është bërë më keq.

“Problemet e fshatit Shtyllas nuk  mbarojnë kurrë. Këtu ka qenë kamp internimi, tani është bërë më keq. Në atë kohë kishte ujë fshati, tani ka 8 vjet që e ka marrë ky “Rilindasi”, nuk ka pikë ujë fshati. Asnjë gjë nuk ka, nuk na ndihmon shteti fare, paguajmë taksa, jemi më të rregullt nga të gjithë- pastrim, gjelbërim, ndriçim, taksa të tokës… Këtu  nuk është hedhur asnjë lek, këtu janë bllokuar kanalet vaditëse, kulluese, nuk prodhon asnjë gjë. Këtu nuk ka shtet. Ne jemi fshat pa shtet këtu”, tregon banori.