Jo pak këto ditë, po flitet për një tentativë të  Ministrisë së Brendshme nën drejtimin  e Kryeministrit Rama, për të sekuestruar serverin dhe arkivën e Televizionit Ora dhe Ora News.

Në pamje të parë, duket sikur kjo ka lidhje me hetimin e SPAK-ut dhe se sekuestrimi i tyre bëhet në zbatim të masës së sekuestros preventive mbi këto dy televizione, por jo.

Jo.

Kjo në aspektin formal procedurial e tejkalon masën e sekuestros preventive.

Serveri dhe arkiva e dy  televizioneve kurrsesi nuk përbëjnë provat ku SPAK-u mund të kryejë hetime  pasi ato nuk janë përdorur për kryerjen e veprës apo produkte të veprës penale  dhe në këto kushte ato nuk mund të shërbejnë në zbardhjen e së vërtetës, por nëse e shohim me gjakftohtësi, po.

Ato shërbejnë për ta parë të vërtetën ashtu si është.

Pa filtrat dhe makiazhin e pushtetit.

Ato të vërteta, që minjtë e pushtetit i shtyjnë të gjejnë strehë në vrima të panjohura, por njëkohësisht të pasigurta.

Të vërteta, të cilat jo pak syresh i lënë edhe pa gjumë.

Jo se ndihen në faj nga e vërteta, por ndihen të pasigurtë për çfarë kanë bërë.

E dinë mirë çfarë ndodh kur përballesh me të vërtetat.

Problemi i tyre është si të ndryshojnë të vërtetat.

Po si atëherë?

Duke prodhuar “të vërteta” të reja dhe duke i shitur ato si reale.

Po ato që kemi parë?

Ato duhen zhdukur.

Duhet fshirë memoria dhe zëvendësuar me “fakte” të reja, sepse duhet fshirë historia.

Megjithëse  paranoja vazhdon ju shtyn drejt krimit, është e pamundur të fshini të vërtetën.

Atë të vërtetë, që është brenda secilit prej nesh.

Të vërtetën e fëmijëve që u nxorën me gaz lotsjellës se fatkeqësisht në shtëpitë e tyre do të ngriheshin kulla të miqve të Kryetarit të Bashkisë.

Të vërtetat e Unazës së Re, ku jo vetëm falsifikohet firma e një Guvernatori të SHBA-së,  por paguajmë 20 milion Euro për 1 km.

Të vërtetat  e gjithë rrugëve pa rrugë të Tiranës dhe Shqipërisë.

Të vërtetat e gjithë investimeve pa investime në shkolla ku i shembi tërmeti dhe kur nuk ia doli, i shëmbi Kryetari i Bashkisë si me  gjimnazin Sami Frashëri.

Të vërtetat e shkronjave të Teatrit, që tinëzisht i vodhët natën (të vetmen mjeshtëri që ju keni) e ne i vendosëm sërish.

Të vërtetat e aferës korruptive të Teatrit, që  me gjithë pushtetin kriminal nuk e shëmbët dot.

Ka shumë të vërteta në ato servera e arkiva, por  megjithëse ju jeni mjeshtra në vjedhje, nuk mund t’i vidhni dot.

Të vërtetat janë ekskluziviteti ynë.

Ju nuk do t’i vidhni kurrë të vërtetat tona.

Ps: Vërtet nuk dimë kë do të mbështesni kësaj rradhe znj. Kim, por dimë se po pushoni qetësisht në Palasë…