Rusia i është përgjigjur reciprokisht Shqipërisë pak javë pas dëbimit të Sekretarit të Ambasadës ruse në Tiranë.

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi të hënën se Jonida Drogu, në postin po të Sekretares së Parë në Ambasadën shqiptare në Moskë, është shpallur person i padëshirueshëm.

Diplomates shqiptare i është lënë 72 orë kohë për të lënë territorin rus.

Kremlini njoftoi se vendimi iu bë i njohur ambasadorit të Shqipërisë, Arben Gazioni.

Shqipëria më 21 janar e arsyetoi dëbimin e diplomatit Aleksei Krivoshev me argumentin se ai shkelte në mënyrë të përsëritur masat anti-Covid të marra nga autoritetet shqiptare.

Dëbimi i Sekretarit të dytë të Ambasadës ruse u prit me kritika dhe keqardhje në Moskë.

“Veprimet e palës shqiptare i konsiderojmë provokim për pikë politike në kontekstin e fushatës zgjedhore në Shqipëri, dhe në vazhdën e lojës së saj me forcat antiruse të Perëndimit. Veprimet shkojnë përkundër marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona, madje nuk ndihmojnë të kapërcimin e ngërçit në çështjet dypalëshe,” reagoi të hënën Ministria e Jashtme e Rusisë.