Dita e nesërme (14 shtator) do të ulë në tryezën e Këshillit Politik palët për të vijuar punën mbi çështjet e lëna pezull siç janë listat 100 përqind dhe implementimi në kodin zgjedhor të ndryshimeve kushtetuese.

Për ekspertin e çështjeve zgjedhore Kristaq Kume, thotë se kërkesa e qytetarëve është lista e hapur që të kenë mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve të preferuar.

Në një intervistë për RTV Ora ai thotë se skema aktuale me 2 të tretat mund të rezultojë si një truk për zgjedhësit.

Kume: Kërkesa e qytetarëve ka qenë që listat të jenë të hapura dhe me këtë kanë nënkuptuar mundësi të palimituara për ta për të shprehur me votë se cilin nga kandidatët ata dëshirojnë që t’i shohin të ulur në kuvendin e Shqipërisë. Në Kushtetutë është përcaktuar pragu minimal që do të thotë se partitë politike tashmë mundet ose të hapin 100 përqind të listës ose të përcaktojnë dyshemenë që përcakton kushtetuta. Një zgjidhje e tillë nuk ishte ajo që pritej dhe mund të rezultojë si një truk dhe jo si një plotësim i zgjedhësve shqiptarë për sa kohë që partitë politike që do të garojnë në zgjedhje do të respektojnë kushtin që është vendosur në kushtetutë dhe nuk do të kenë vullnet për më tepër se aq sa kërkon kushtetuta, në Kuvendin e Shqipërisë ne mund të kemi vetëm 22 deputetë që të jenë si rezultat i votës së parapëlqyese të zgjedhësve.

Ndërkohë që për ruajtjen e kuotave gjinore, Kume thotë se mund të hartohej një mekanizëm i tillë nga palët politike në të njëjtën kohë me hapjen 100 përqind të listave.

Por sipas Kumes, kjo nuk është parë si një rrugëzgjidhje nga liderët e partive politike.

Kume: Për mendimin tim ka rrugë të tjera të thjeshta që e mundësojnë këtë gjë. Të kishin mundësi zgjedhësit që të zgjidhnin këtë donin, pra lista 100 përqind dhe në të njëjtën kohë që të ndërtohej një mekanizëm për të bërë të mundur respektimin e barazisë gjinore. Nuk është se nuk kishte rrugë të tjera por është gjetur më e mirë se lidershipi i partive politike të kenë në dorën e tyre një pjesë të listës.

Një rol të rëndësishëm në reformën zgjedhore kanë pasur dhe ndërkombëtarët por Kume thotë se duhet të ketë vullnet politik nga vetë partitë.

Krahas saj, ai thotë se një element akoma më i rëndësishëm është një mekanizmi detyrues që t’i bëjë partitë të kalojnë në sitë kandidatët e tyre.

Kume: Hapja e listave është një mekanizëm synon të zvogëlojë fenomenin e vjedhjes së votave. Duhet të bëhen ndryshime në partitë politike por ndryshime të forta në mënyrën se si ata duhet të veprojnë në hartimin e listës së zgjedhësve. Bashkë me të duhet dhe presioni nga qytetarët dhe ndërkombëtarët. Nuk do presim që me hapje 2 të 3 të listave të çojë në përmirësimin e kualitetit të deputetëve të nesërm. Çdo tentativë për të realizuar këtë që thamë është e mirëpritur. E gjitha kjo mund të bëhet me vullneti politik të partive. Por krahas këtij vullneti ne duhet të hartojmë dhe mekanizma detyrues që të arrijmë në hartimin e listave me sa më pak anëtarë me probleme. Është e nevojshme që të trajtohet në ligjin zgjedhor.

Ish kreu i KQZ renditi dhe 4 pika sipas rëndësisë së tyre për tu implementuar në kodin e ri zgjedhor.

Kume: Duhet të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor për të mundësuar zbatimin e dispozitës kushtetuese që i jep mundësi zgjedhësve që të ushtrojnë votën përpara pëlquesit të tyre. Dhe e dyta ndryshimi kushtetues sipas të cilit tashmë në zgjedhje partitë politike nuk mund të garojnë me koalicione ku çdo anëtar i koalicionit të ketë listë kandidatësh të tij. Ka dy ndryshime të tjera në kushtetutë që mund të pasqyrohen nëse palët politike bien dakord. I pari është ai që ka të bëjë me pragun zgjedhor dhe i dyti është ndryshimi që mund të bëhet në legjislacionin tonë zgjedhor sa i takon ndarjes së Shqipërisë në zona zgjedhore. Sipas vlerësimit tim dy të parat janë të domosdoshme për tu bërë ndërsa të dytat edhe mund të mos të bëhen.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti online Endi Mullaj