Eksperti i Çështjeve Zgjedhore, Kristaq Kume, tregoi me detaje se si mazhoranca, që nga 14 janari 2020, e madje edhe më herët, që pas zgjedhjeve të 2017-ës, ka bërë një lojë të pisët lidhur me ndryshimet e premtuara si në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe në Kodin Zgjedhor. Kume flet për një shkelje me të dyja këmbët të asaj çfarë u arrit më 14 janar të këtij viti, ku qe një dakordësim mes palëve, e që më pas do të devijohej më 5 qershor. Për ish-kreun e KQZ-së, punimet për këto ndryshime duhet të kishin nisur që më herët, por janë zvarritur qëllimisht.

Kume: U diskutua menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2017 se do të fillonte puna për reformimin e Kodit Zgjedhor. U përshëndet. U konsiderua si fjalë e mbajtur e Kryeministrit, i cili kishte deklaruar që para zgjedhjeve se menjëherë ne do të vazhdojmë reformën, biles ka thënë Reformën Kushtetuese, dhe si kryefjalë të saj ka thënë  reformën e Ligjit Zgjedhor.

Por siç dihet tashmë, palët politike, që kanë të drejtën dhe kanë detyrën dhe kanë mundësinë që ta realizonin një proces të tillë, dihet se si u sollën, kaluan dy vjet e ca dhe më së fundi u arrit deri aty sa jo vetëm të arrinte në ngërç, pra të mos mund të realizohej si i tillë. Shtuar edhe rekomandimin e vazhdueshëm edhe të ndërkombëtarëve, por edhe dëshirën e madhe të gjithë shqiptarëve, që ky të ishte një proces gjithëpërfshirës, një proces me kontributin e të tëra palëve, arritëm deri aty pastaj, që pas ngërçeve të krijuara, të mund të hyjmë në këtë holli pune, vetëm pas presionit të shtuar të ndërkombëtarëve.

Rezultati i të cilës ishte marrëveshja e 14 janarit, me krijimin e Këshillit Politik. Kjo marrëveshje rriti në njëfarë mënyre mundësitë për t’u realiyuar ky proces, të reformimit të legjislacionit zgjedhor, duke patur dakordësinë e të gjitha palëve. Edhe në atë kohë mazhoranca i kishte të gjitha mundësitë që ta bënte punën, i kishte votat, kaq sa ka edhe sot që hodhi poshtë dekretin e Presidentit. Pranoi që mos ta bënte këtë gjë. Ra dakord që gjithçka të realizohej si produkt dhe dakordësi e arritur në Këshillin Politik.

Dimë se si punoi ky Këshill, megjithatë në fund fare kurorëzoi punën e tij me marrëveshjen e 5 qershorit, pra fazën e parë të punës, e cila u miratua pastaj pa asnjë ndryshim si e tillë në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë ndryshimet e dakordësuara nga të gjitha palët në Kodin Zgjedhor. Po qe se do t’i qëndrojmë asaj që u deklarua në fillim që do të bëhej nga Këshilli Politik, është larg premtimeve të bëra. Rekomandime shumë të rëndësishme të ndërkombëtarëve nuk u morën parasysh. Dakordësia e 5 qershorit është aty, në letër, por ajo që është hedhur poshtë është dakordësia e arritur në janar të 2020-ës.  

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online, E.T