Mbrojtësi i Kombëtares sonë, Marash Kumbulla, do të luajë këtë sezon për Romën dhe ai shprehet i kënaqur për zgjedhjen e bërë. Ndërkohë, Kumbulla është shprehur se është e drejta e trajnerit Reja të vendosë nëse mbrojtësi do të luajë në dy ndeshjet me Kombëtaren ose jo, deklarime të cilat Kumbulla i ka bërë në konferencën për shtyp për mediet.

“Roma? Jam shumë i kënaqur për këtë hap, kam shkuar në një klub me histori në Itali. Ndoshta më ndihmon me kombëtaren. Trajneri është ai që vendos. Me rëndësi është që kombëtarja të luajë mirë dhe të ruajë rezultate.

Nuk është vetëm problem i mbrojtjes, është problem i repartit, por mbron i gjithë ekipi. Do përmirësohemi në të gjitha repartet në vazhdim.

Unë nuk e di a jam titullar apo jo. Vendos trajneri. Shpresoj të luaj dhe të ndihmojë skuadrën.  Jam mbrojtës i ri dhe nuk jam unë ai që bëj liderin. Janë Berati e Dermaku para meje që mund të bëjnë liderin. Trajneri nuk më ka kërkuar asgjë specifikisht. Duhet të stërvitem fort dhe të luaj me ekipin tim”, – është shprehur mes të tjerash në konferencën për shtyp mbrojtësi kuqezi, Marash Kumbulla.