Komedia “Zhurmat përtej skenës” në skenën e teatrit “Migjeni”
“Zhurmat Përtej Skenës”, është komedia më e re premierë në Teatrin “Migjeni” që riktheu në Shqipëri, regjisorin Enke Fezollari.
E konceptuar si një teatër brenda teatrit, “Zhurmat Përtej Skenës” e autorit Michael Frayn u ngjit premierë në skenën e teatrit “Migjeni”
Ngjarjet janë vendosur në një “mulli të shekullit XVI të restauruar”, të konvertuar në banesë moderne për të cilën nuk mungojnë kurrë qiramarrësit.
Loja e aktorëve shkaktoi të qeshura tek publiku që kishte mbushur sallën e Teatrit "Migjeni".
"Për moshën tonë me thënë të drejtën është goxha e vështirë," tha aktorja Rita Gjeka.
"Dikush vjen e qesh gjithë kohës. Dikush thotë: Prit se kështu me të vërtetë ndodh në teatër. Dikush thotë: Ou, paska gjëra që duhen menduar edhe ndryshe. Në fund të fundit, kjo është jeta jonë. Edhe në politikë, ekonomi siç ndodh në prapaskenën e teatrit që keni pasur mundësi ta shikoni," tha aktori Simon Shkreli.
Regjisori shqiptar që prej vitesh jeton në Greqi, Enke Fezollari pas këtyre muajve punë në Shkodër, e kishte një mesazh që lidhet me qytetin.
"Po flas pak politikisht, por është i braktisur nga ministria dhe Tirana. Është sikur kemi dy Shqipëri, një Shqipëri poshtë e një Shqipëri sipër. Duket sikur Shkodrën e kanë lënë vetëm," tha ai.
Më herët, komedia “Zhurmat Përtej Skenës” u shfaq në festivalin tradicional të komedisë “Mittrix” në Kosovë e cila ishte si një provë për aktorët.