"Zemra kërkon zemrën" kënga që përloti jurinë dhe spektatorët, Ana Bushgjokaj fituese e festivalit “Lule Borë”

Nuk ta di as emnin,
S’t’i kam pa’ kurrë sytë,
S’ta kam ndi’ kurrë zanin,
E prapë malli po m’mbytë.

S’ma ke mbajt’ kurrë dorën,
S’ma ke prek’ kurrë ballin,
S’ta kam ndi’ aromën,
E prapë s’e shuaj’ mallin.

Ti ma mban peng zemrën,
Pa ty s’e du’ veten,
Du’ me t’thirr me emën,
nânë do t’t’kem tânë jetën.

Zemra kërkon zemrën,
Loti njomi fletën,
“Nânë” ta kam shkru’ emnin,
Nânë do t’t’kem tânë jetën.

Me fjalë zemre, të një jetimi kushtuar nënës të cilën nuk e ka njohur asnjëherë, Ana Bushgjokaj fitoi zemrat e të gjithë të pranishmëve por dhe jurisë së edicionit të shtatë të festivalit “Lule Borë” 2022 mbajtur në Shkodër pak ditë më parë.

E ftuar në emisionin “Ditë e Re” sot në RTV Ora Ana tregon emocionet e skenës.

“Kënga nuk ishte bërë për të hyrë në festival por për veten time, megjithatë vendosa të paraqitesha me këtë krijimtari në festival. Kënga flet për një fëmijë jetim që nuk e njeh nënën megjithatë nuk e humb shpresën që një ditë ta takojë. Kënga preku publikun. Edhe unë në skenë sa nuk po qaja ndërsa I lutesha Zotit që të përfundoja këngën” tregon ajo për moderatoren Arjola Shehu.

Vargjet janë të Arben Bushgjokaj, profesor në Universitetin “Luigj Gurakuqi” por dhe babai i saj.

Babi është tekstshkruesi e vetë ajo kompozitorja.

E ardhmja?

E apasionuar pas muzikës dhe këngës Ana duket nuk do ta lërë asnjëherë pas muzikën për të cilën po zbulon se pëlqen më shumë kompozimin, por ndërkohë po studion për informatikë.

Kush do dalë fitues teknologjia apo muzika?

Pse jo të mos ecin bashkë në rrugëtimin e jetës.

Dhe kënga vijon

Kush ma zbut trishtimin,
Kush ma fshi mu’ lotin,
Me ma kthy’ pak g’zimin,
Çdo ditë e lut Zotin.

Ti ma mban peng zemrën,
Pa ty s’e du’ veten,
Du’ me t’thirr me emën,
nânë do t’t’kem tânë jetën.
Zemra kërkon zemrën,
Loti njomi fletën,
“Nânë” ta kam shkru’ emnin,
Nânë do t’t’kem tânë jetën.

Sytë më shkojnë nga porta,
Zemra s’e humb shpresën,
T’pret me rrahje t’forta,
Si mëngjeset vesën.

EMISIONET