Vendi ku nuk ka kosha, por rrugët janë "xixë", respekti e përulja janë virtyt, ja nga ndryshon kultura japoneze nga ajo shqiptare

Kultura dhe traditat Japoneze janë shumë ndryshe nga ato që kemi ne në Shqipëri. Kjo ishte tema që u diskutua me të ftuarit në emisionin "Ditë e Re".

Në Japoni viti shkollor fillon ne muajin prill, ndërsa në Shqipëri në shtator.

Gjuha japoneze ka katër alfabete, 3 kombëtar dhe një alfabet udhëzues për të huajt, i cili i përshtatet gjuhës evropiane.

Megjithatë njëri nga 3 alfabetët kombëtar është aq i vështire, sa që as vetë japonezët nuk njohin saktësisht se sa shkronja ka gjithsej.

Gazetarja, Mirilda Tili, e martuar me një japonez thotë: " Njëri nga 3 alfabetët është shumë i vështirë. As vetë japonezët nuk e dinë se sa shkronja ka. Vetëm moshat e treta e njohin mirë alfabetin. Madje nuk janë as gërma siç i njohim ne, por janë hieroglife. Duhet të dish të pikturosh që t'i kuptosh."

Japonezët nuk propozojnë me unazë diamanti, ata propozojnë me origami.

"Kur Japonezët propozojnë, duhet të mbushin një shishe me atë mjelmën, që e palosin vetë. Është origami mjelma, që kërkon tre çerek ore që t'i palosësh. Duhet t'i bësh aq të vogla, minimaliste, që t'i futësh në shishe. I përgatit me dorë dhe i bën propozim për martesë. Kjo është Japonia, te dedikimi, te mënyra se si bëjnë gjithçka, te sinqeriteti", shprehet Mirilda.

Në Japoni prekja është e shenjtë. Japonezët nuk përqafohen me njëri - tjetrin si ne.

"Japonezët e kanë vërtetë të shenjtë të prekurit. Nëse të përqafon një japonez, dihet se je shumë special për të. Ata e shprehin dashurinë me vepra, jo me prekje fizike. Një dhuratë nga një japonez ka vlera të jashtëzakonshme. Nëse ne jemi të dashur, për shkak të puthjeve dhe përqafimet ndonjëherë dhe si puthja e Judës, por ç' rëndësi ka. Ata nuk e kanë këtë", shprehet Mirilda.

Në Japoni nuk ka kosha nëpër rrugë, por rrugët janë "xixë" të pastra. Qytetarët i marrin mbeturinat në qese me vete dhe i çojnë në shtëpi, ose te koshat që ndodhen në stacionet e trenave apo metrove.

Japonezët njihen për trupin e hollë, por ata konsumojnë vaktin e mëngjesit me bollëk.

" Një mëngjes tipik normal në Japoni përfshin, supë Miso ( supë me fasule të kuqe), oriz, peshk me sos dhe tri lloje peshqish tjerë" , thotë Mirilda.

Gjithashtu Japonezët janë popull shumë i respektuar, karakterizohen nga përulesia ndaj çdo gjëje dhe ndaj çdo personi.

" Japonezët e kanë përuljen në dukje, por ata janë aq krenar si popull. E duan shumë Japoninë. Përulesia vjen si pasojë e krenarisë tyre. Atje nuk ka diskutim për urdhrin, atje ka zbatim, ndaj ata kanë ecur aq përpara" , tregon gazetarja për Ditë e Re.

Vendi ku nuk ka kosha, por rrugët janë "xixë",
Mirilda Tili

EMISIONET