Tablotë si “kriptomonedhë”, Artisti britanik krijon trendin e ri në artin bashkëkohor

Ekspozita e fundit nga Damien Hirst shfaq mijëra piktura shumëngjyrëshe të artistit provokues britanik, shumë prej të cilave ai do t'u vërë flakën pasi t'i shesë në formë dixhitale si NFT. Ekspozita, "Monedha", është projekti i parë i Hirst, veprat e të cilit janë ndër më të shtrenjtat në treg për krijuesit bashkëkohorë.

Tablotë si “kriptomonedhë”, Artisti britanik krijon

Me mijëra piktura shumëngjyrëshe janë ekspozuar në Londër nga artisti provokues britanik Damien Hirst. Ekspozita e tij titullohet “The Currency" ose “Monedha” dhe është projekti i parë i Hirst që përfshin Non-Fungible Tokens, një teknologji e re që po rritet në popullaritet si një mënyrë për të zotëruar artin.

Në galerinë “Newport Street” në jug të Londrës, panele të mëdha janë të mbuluara me 10,000 piktura unike në letër me madhësi A4.

Pikat shumëngjyrëshe shtrihen aq sa mund të shohë syri. Në anën e pasme të secilës ka fraza të shkruara me dorë, bazuar në tekstet e këngëve të preferuara të artistit 57-vjeçar.

Dhe lart në galeri, gjashtë oxhaqe janë gati për të djegur veprat, pasi artisti t’i shesë ato në formë dixhitale. Ai ka planifikuar të djegë 4,851 pikturat fizike të atyre që zgjodhën NFT-të.

“Është një eksperiment... Ne po i detyrojmë njerëzit të bëjnë zgjedhjen e tyre”, thotë artisti në një video.

Hirst do t'i vërë flakën vetë veprave në galeri më 11 tetor, një ditë para hapjes së “Frieze London”, një nga panairet më të mëdha të artit bashkëkohor në botë.

Ai do të djegë vetëm disa nga pikturat e padëshiruara, ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë e ekspozuar deri në mbylljen e ekspozitës më 30 tetor.

Projekti "The Currency" filloi në korrik të vitit të kaluar, kur 10 mijë veprat dolën në shitje për 2000 dollarë secila. Veprat e Hirst janë ndër më të shtrenjtat në treg për krijuesit bashkëkohorë.

NFT-të ose "Non-Fungible Token", janë vepra dixhitale që nuk mund të zëvendësohen me asgjë tjetër dhe për këtë arsye janë unike.

Secili ka një certifikatë dixhitale të autenticitetit, e cila, të paktën në teori, nuk mund të ngatërrohet: është e regjistruar në një blockchain, si kriptovalutat.

EMISIONET