Speciale e RTV Ora/ Vajza e Dritëroit mes emocionesh: Donte të bëhej 90 vjeç, nuk e kaloi dot sfidën

"E kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërko. Aty i fshehur do jem unë, në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë."

Me Këto vargje të përziera nga emocionet, dhimbja e malli vajza e tij Elona  kujtoi poetin dhe shkrimtarin e madh Dritëro Agolli në 90-vjetorin e tij të lindjes.

"Si lexuesja e parë e veprave të tij jam me fat të madh në jetë. Ndjehem e lumtur pasi ndjej një vëmendje, kujdes, respekt, dashuri për veprën e babait tim nga të shumtë. Nga ana tjetër kam dhe dhimbjen e trishtimin që nuk e kam në jetë. Në bisedat e pasditeve, kohët kur ai nuk ishte mirë me shëndet thoshte "dua dhe 5 vjet të roj, të kap 90."

90 e kishte si sfidën e tij, donte se s'bën. Për fat të keq nuk e kaloi këtë sfidë dhe ky është ai trishtimi im i madh që babi nuk mundi të ishte tani më në jetë dhe nga ana tjetër salla do të plotësohej më shumë nëse ai do të ishte aty i pranishëm. Ndjehej mungesa e tij fizike, sjell një boshllëk sado që rrethohemi me dashuri, fjalë për përjetësinë. Në përgjithësi vetëm dashuri, mahnitje, adhurim pas veprës dhe poezive të Dritëroit sidomos. Poezia është zhanër më i kollajshëm për t'u lexuar këtë kohë," u shpreh vajza e Dritëroit.

Elmili , nipi i shkrimtarit thotë se ndihet krenar kur i thonë që i ngjan gjyshit ndërsa këshillat e Dritëroit i ka ende të gjalla.

"Kemi pasur një marrëdhënie shumë të afërt, kam marrë këshilla që i ka fiksuar për gjithë jetën. Këshilla mbi shoqërinë, familjen dhe këshilla të tipit që ka qenë një personalitet shumë i thjeshtë, por gjithashtu dhe një personalitet shumë i lartë. Ndërthurja e tij ka qenë shumë e veçantë dhe këtë mundohem ta trashëgoj edhe unë. Gjithmonë ka thënë krijo emrin tënd, bëhu dikush. Ndihem krenar që i ngjaj dhe shpresoj që t'i ngjaj edhe në jetë," tha nipi i shkrimtarit.

Në nder të këtij përvjetori të dyfishtë të Migjenit dhe Dritëro Agollit, Akademia e Shkencave paraqiti  librin “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni", botim shqip i tezës së diplomës së shkrimtarit Agolli mbrojtur në 1957 në Petërburg.

Akademikë shqiptarë por edhe jashtë kufijve folën gjatë për këta autorë që edhe pas vdekjes lanë pas veprën e madhe.

"Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje, por madhështia e tyre si poetë. Ata ishin të dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit dhe nderimit të brezit të tyre. Migjeni si një krye-emër i brezit të viteve '30 dhe Dritëroi si fytyra e brezit të viteve '60. Të gjithë sot kemi marrë një detyrë të vështirë, të paraqesim përmes disa fjalëve dhe kumtesave vlerat e veprës së jetës të Agollit dhe Migjenit, një mision ky gati i pamundur por që vetë Dritëroi do të na i hiqte këtë barrë duke na thënë "mos u merakosni se ç'do thoni ju për ne, pasi vepra dhe trashëgimia jonë flasin dhe do të flasin vetë." Dritëroi ishte dhe do të mbete një prej figurave emblematike të letrave dhe të Akademisë së Shkencave. Ai ishte një ndër vlerësuesit dhe mbrojtësit e Akademisë dhe në ditë të vështira. Është në nderin tonë të kujtojmë dhe vlerësojmë figurën e tij krahas asaj të Migjenit."

"Përfaqësues të dy kohëve të ndryshme letrare si Migjeni ashtu dhe Agolli janë përsosja e modernizmit në letërsinë shqipe romantike dhe revolucionare me emancipimin që i dhanë shoqërisë me vargjet e tyre. Një tis melankolik na bie shpesh mbi figurën e Migjenit, atij djaloshi elegant i cili me vargjet e tij krijoi shtatin e një tradite të munguar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Poezitë e të dyve janë poezi të angazhuar dhe ndoshta kjo duhet të jetë thelbi i një poezie.

Poezia përveçse duhet të emocionojë, ka qenë gjithmonë pararojë e ideve dhe i ka çuar përpara. Ndryshe nga Migjeni, Agolli është një poet edhe më i ngrohtë. Ai i shkruan erosit, e çliron poezinë shqipe nga një ndrrojë që e kishte karakterizuar ndër vite, shkruan një poezi të angazhuar dhe është një poet i cili sa herë ne do të kthehemi pas gjithmonë do ta shohim një poet të rinovuar që na frymëzon dhe na çon drejt qasjeve të reja në të gjitha historitë që lexuesit do kenë, Agolli është ndoshta ai që simbolizon..."

"Dritëro Agolli me letërsinë e vet, në prozë sidomos nuk ka, unë nuk kam mundur të gjej personazhe bardh e zi. Madje edhe te romani ku ka krye-personazh Zylon ai e përqesh, pro nuk e urren, e balancon edhe në këto raste. Është shmangia e parë që bie në sy në këtë letërsi. Tek romani "Komisari Memo" ai i bën një lëshim dogmës, politikës së kohës dhe në vend që romanin ta titullojë "Komandanti Rrapo" se është personazhi kryesor, personazhi që na tërheq më shumë, ai e ka titulluar "Komisari Memo", ai fiton, por në të gjithë librin ne ndjejmë një frymë të traditës kombëtare me tiparet e komandantit Rapo i cili di ta bëjë luftën për mbrojtjen e Atdheut."

"Autori ynë i shquar e shtriu figurshmërinë e saj në të gjithë prurjen e tij satirike. Atë e gjen në kryeveprën "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", madje me këtë emblemë nis edhe dy faqet e para ku kuajt, Araniti dhe Demka kanë para vetes ca gomarë me Zylon që është vënë të çajë shtegun e malit. Gjejmë plot gomarë pastaj nëpër drama, novela, tregime ka pasur plot. Përparimi i një vendi është i dështuar ose së paku i vonuar sapo aty ku duhet udhëhequr nuk vihen më të zotët, më të ndriturit dhe për këtë ky autor i drejtoi atyre gomarëve majën e mprehtë të satirës së tij. Zylo i romanit satirik është një gjetje madhore, shoku Zylo është shumë më tepër se drejtor i një drejtorie për problemet e kulturës."

"Të flasësh dhe të shkruash për Dritëro Agollin është një përgjegjësi shumë e madhe. Ai u përket vetëm shqiptarëve të ndershëm, qytetarë dhe atdhetarë të sotëm apo që do të vijnë, u përket vetëm atyre që duan ta shohin dhe njohin realitetin. Dhe vjen një ditë që do të përballesh me gjykimin e këtyre njerëzve, pa dhënë arsye dhe pa paraqitur argumente në atë prodhim je i rrëzuar. Të flasësh dhe të shkruash sot për Dritëro Agollin nuk është diçka ngazëlluese. Njeriu nuk jeton më dhe nuk na ndriçon me dritën e së mirës, fisnikërisë dhe frymëzimit që buronte nga thënia e tij. Jo vetëm, ka aq shumë gjëra shoqëria jonë e sotme të cilat e kanë, e kanë mërguar nga bota e madhe, reale, ideore dhe emocionale që simbolizon figura e Dritëro Agollit."

"Poezitë, romanet, angazhimi në jetën politike dhe shoqërore, qëndrimi ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës, ndikimi i tij në letërsinë shqipe, vendi i tij në panteonin e kulturës shqiptare janë vetëm disa nga veçantitë përcaktuese të jetës fizike dhe metafizike të Dritëro Agollit. "

E prekur nga emocionet Elona Agolli i dhuroi akademisë Shkencave fletore e blloqe të bukurshkruara nga Dritëroi që siç tha dhe ajo vetë për të kanë shumë kuptime e kujtime.

"Nuk e kisha të lehtë ta merrja këtë vendim pasi këto fletore e blloqe të bukurshkruara nga babi për mua kanë shumë kuptime  e kujtime, krijojnë përjetime dhe ndjesi të shumta. Aty ndjej bojën e shkrimit dhe gishtërinjtë e ngjyrosur të babit me bojën blu, në fletët e blloqeve ndjej erën e duhanit dhe nikotinës, ndjej përpëlitje dhe zjarrmi të shpirtit, gëzim dhe trishtim, dashuri të paplotësuar dhe të pa dhënë, forcë dhe dobësi. Duke dorëzuar këtë dorëshkrim përjetoj ndjesinë e përcjelljes së një copëze shpirti, të transferimit të tij në një shtëpi të re, në shtëpinë ku babai im ka kontributin e tij si atdhetar e patriot, si iluminist e mendjendritur, në tempullin të cilin ai e vlerësonte më shumë se gjithçka, në Akademinë e Shkencave," tha vajza e Agollit./OraNews/ 

EMISIONET