Sot, Dita Ndërkombëtare e Teatrit
Sot është Dita Ndërkombëtare e Teatrit. Instituti Ndërkombëtar i Teatrit e caktoi 27 marsin, si ditë kremtimi në vitin 1961 për të shërbyer si dita ku duhet të përhapet mesazhi i teatrit përmes skenave të gjithë botës. Kjo ditë duhet të shërbejë për mbështetjen e teatrove lokale, për ndarjen e përvojave në skenë, pas kuintave apo në audiencë, për të vlerësuar dramaturgët e mbi të gjitha për të nxitur të tjerë të rrëfejnë historitë e tyre përmes teatrit.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi fillimet artistike të Teatrit në Shqipëri.
Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.
Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntëvjeçare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios.