Skulpturat në Durrës, viktima të dëmtimeve dhe vandalizmit
Skulptura urbane e peshkatarit është larguar ditët e fundit nga vendi ku ishte instaluar, pranë shkallares me emrin “Sfinksi” në shëtitoren bregdetare të Durrësit.
Kalimtarët menduan se deti i trazuar dhe moti i keq gjatë natës e kishin dëmtuar dhe hedhur në det monumentin e njohur dhe shumë të frekuentuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Skulptori Qazim Kërtusha tha për BIRN se një qytetar njoftoi për disa të rinj, të cilët tentuan ta shkulin atë nga bazamenti. “Ndërhyrja e bashkëqytetarit tonë e shpëtoi skulpturën,” shtoi më tej artisti Qazim Kërtusha, duke nënvizuar se menjëherë u njoftua autori i veprës, Dylber Neziri.
Në prani të autorit, punonjësit e ndërmarrjes komunale e zhvendosën monumentin e dëmtuar dhe e dërguan në fonderinë e Tiranës, ku vepra do t’i nënshtrohet restaurimit të nevojshëm.
Bashkë me keqardhjen për veprën e dëmtuar, Kërtusha ndjehet i kënaqur që qytetarët bashkëpunojnë për mbrojtjen e veprave publike, sidomos në këto ditë kur një grup artistësh vendas dhe të huaj të skulpturës dhe pikturës janë bërë pjesë e Bienales së parë të artit bashkëkohor në Durrës.
Veprat e tyre skulpturore janë instaluar kryesisht në sheshin “Liria”, ndërsa tablotë janë vendosur në sallonet e Vilës mbi Kodër. Ato janë vizituar nga dhjetëra turistë të huaj, të pranishëm në këtë fillimvjeshte në qytetin bregdetar.
Qazim Kërtusha vlerëson se tashmë Durrësi ka një numër të mirë skulpturash urbane, të cilat, pavarësisht zhvendosjeve të shpeshta, janë vendosur në shëtitoren bregdetare, në muret mesjetare apo në qendër të qytetit. Por, ndonjëherë ato bëhen objekt dëmtimi nga keqbërësit, siç ndodh shpesh me dy Gladiatorët e skulptorit Janaq Paço, në një nga lulishtet pranë rrugës “Taulantia”.
Mburojat dhe shpatat e dy luftëtarëve antikë, punuar nga artisti i njohur Paço, janë zëvendësuar disa herë, njëlloj siç janë zëvendësuar syzet e këngëtarit rock, John Lennon, punuar 10 vjet më parë nga autori Qazim Kërtusha.
Njësoj vepruan ish-studentët artistë të skulptorit të nderuar Sabri Tuçi, të cilët përsëritën bustin e vjedhur të ish-profesorit të tyre.
Zëvendësimi i elementëve të dëmtuar, ashtu siç ka ndodhur me monumentin e “Artistëve të qytetit”, përbën një lloj leksioni për të siguruar bashkëpunimin e qytetarëve, por edhe për të dënuar veprimet e keqbërësve, përfundoi skulptori Qazim Kërtusha./BIRN