Shkrimtari Alban Tufa tregon si u surprizua nga xhaxhai: Libri ishte futur në botim dhe unë nuk e dija

Libri dhe të rinjtë  një temë mjaft e diskutueshme në ditën e sotme përsa i përket raportit, duket sikur çdo ditë e më shumë të rinjtë po i ikin librit, por ka edhe nga ata që i qëndrojnë besnik jo vetëm në lexim por edhe duke sjellë në treg botime. Për këtë në emisionin e pasdites në “Jeto me Orën” në RTV Ora ishin të ftuar tre shkrimtarët e rinj Alban Tufa, Mehmet Disha dhe Klajdi Thaçi.

“Shkrimtari fillimisht duhet të jetë një lexues i mirë, më pas bëhet shkrimtar i mirë” kështu është shprehur autor i vëllimit me poezi “Një mbrëmje si mbrëmë”, Alban Tufa.

 Për Albanin kur bëhet fjalë për të shkruarin, në radhë të parë duhet të shohim pasionin dhe më pas të mendojmë për sfidat, sipas tij, sfidat nuk kanë lidhje me procesin e të shkruarit, por vjen më pas në  fazën e botimit.

“Poezia ka qenë porta ime e parë drejt letërsisë. Poezia më ka çel këtë botë të madhe siç është letërsia. Fillimisht lind pasioni për të shkruar dhe më pas lindin sfidat.

Sfidat vijnë pas 2-3 vitesh kur ti fillon të shkruash, në këtë rast lindin dhe ambiciet për t’a  botuar. Në vëllimin tim të parë janë mbledhur poezitë prej gjashtë viteve që unë i kam pasur të shkruara. Mendoj që fakti që unë shkruaj është gjenetike, pasi im xhaxha Agron Tufa është një ndër shkrimtarët me zë. Ndaj duke lexuar dhe dëgjuar poezitë e tij, më ka lindur dhe dëshira për të shkruar. Librin që unë kam botuar në fillim ja nisa xhaxhait tim, Agronit dhe e pyes nëse ja vlen apo jo të merrem me këtë punë. Prisja një përgjigje prej dy javësh, por që nuk e mora as për 2-3 muaj. Në atë moment thash me vete, se nuk ja vlen të merrem me këtë punë sepse dyshoja në atë çfarë unë shkruaja. Ndërkohë libri kishte shkuar në shtëpi botuese, thjeshtë më kontaktuan për të më pyetur mos e kam dërguar vend tjetër për botim. Në këtë mënyrë libri erdhi në formë dhurate”, u shpreh Tufa.

Ndërkohë, autori i dy librave me poezi “Të gjithë do ta dinë dhe do të heshtin”  dhe “Të mjaftueshmëve me gjëra të vogla", Mehmet Disha, është shprehur gjatë emisionit se janë gjëra të vogla ata, të cilat mund të shërbejn më vonë si indicie për të shkruar dhe botuar një libër.

 “Poezia, libri, apo një zhaner tjetër i një autori e gjen  vetë rrugën tek lexuesi. Mendoj se ka një zë të brendshëm, e cila na thërret drejt artit. Në poezitë e mija, mendoj se lexuesi e gjen veten nëpërmjet rrjeshtave, pasi unë kam një stil të veçantë të shkruarit. Janë gjëra të vogla, detaje ku njerëzit i shpërfillin dhe duket sikur janë të padukshme”, u shpreh Disha.

Për Klajdi Thaçin, autori i romanit “Sfidat e një humani” të shkruarit nuk është thjeshtë të bëhesh i njohur për publikun, por të sjellësh mesazhe dhe të trajtosh diçka që nuk është thënë më përpara. Ndër të tjera ai u shpreh se të shkruarit nuk bëhet me plan, por është atëherë kur e ndjen nevojën për të krijuar.

 “Kam nisur të shkruaj për herë të parë kur isha 12 vjeç, madje poezinë e parë nuk e kam ruajtur. Ishte thjeshtë një poezi për detyrë shkolle, më pas kuptova se kisha prirje për të shkruar. Unë nuk dua thjeshtë të shkruaj një libër dhe të njihem si shkrimtarë, por dua të jap mesazhe. Dhe njerëzit të gjejnë veten aty tek rrjeshtat e mi. Brenda nesh është ndërgjegja, dhe mundohem që ajo që është brenda të nxirret dhe jashtë. Pasi, ajo që jemi jashtë burimin e ka nga brenda. Të shkruarit duhet të jetë stil origjinal, dhe jot ë nisesh duke kopjuar dikë tjetrin. Sepse duhet të jesh me atë parimin, çfarë sjell unë ndryshe. Ti duhet ta ndjesh nevojën për të shkruar, nuk vjen diçka e bërë me plan”, u shpreh Thaçi.

EMISIONET