“SHËNDETI PËRMES PIKTURËS”/ Në Ditën e Muzeve, të rinjtë paraqesin punimet. Apel për shoqëri të pastër
Përmes emocioneve të shfaqura në piktura, të rinjtë kanë apeluar për t’i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit dhe natyrës. Punimet e tyre janë ekspozuar në Ditën e Muzeve, ndërsa aktivitetet do të vijojnë në gjithë vendin.
Në Ditën Kombëtare të Muzeve, në Tiranë u prezantuan punime të të rinjve, me temën: “Mirëqenia, zhvillimi mendor dhe izolimi social”.
Përmes këtyre pamjeve, ata bëjnë apel për një shoqëri më të mirë, për të ndalur cigaren e ndotjen, por edhe për ruajtjen e natyrës, si një pasuri e së ardhmes.
Përfaqësuesja e shkollës “Sami Frashëri” e vuri theksin pikërisht te angazhimi i të rinjve.
“Jam shumë e lumtur që Muzeut i bashkohen gjithmonë e më shumë të rinj. Ne si shkollë organizojmë aktivitete të ndryshme dhe që japin një impakt dhe një mesazh të gjithë shoqërisë”, tha ajo.
Ministria e Kulturës tashmë ka vendour t’i shtrijë aktivitetet edhe në qytete të tjera.
“Ministria e Kulturës nëpërmjet rrjetit kombëtar historik, arkeologjik apo edhe etnografik të shtrijë në Tiranë, Durrës, Krujë, Shkodër, Berat, Vlorë dhe Sarandë e përkujton këtë ditë me aktivitete të shumta dedikuar temës vjetore të përcaktuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve”, theksoi përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës.
Dita Kombëtare e Muzeve që prej vitit 2005 është kthyer në traditë, ku synim mbetet angazhmi i të rinjve.