Shkodër/ "Shqipëria në vitet e vështira" Ekspozita fotografike e Michel Setboun
Një fotograf francez ka çelur në Shkodër ekspozitën e tij personale me dëshmi të ngjarjeve më të rëndësishme të vendit tonë. Që nga komunizmi, tek rënia e tij, zgjedhjet e para pluraliste, e deri tek eksodi masiv i shqiptarëve, ekspozita është hapur në muzeun "Marubi"
Ishte viti 1981 kur fotografi francez Michel Setboun vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Gjatë kësaj vizite janë shkrepjet e serisë ‘Shqipëria në vitin 1981′, në të cilën nuk gjejmë asnjë imazh që tregon realitetin e burgjeve, kampeve të internimit, shkatërrimin e objekteve të kultit apo skamjen ku jetonin shqiptarët.
Në vitin 2022, fotografi Setboun u rikthye në Shkodër, këtë herë me ekspozitën personale “Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur” kuruar nga drejtori i muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni.
Ardhja e Setboun-it në ‘90-tën ishte e ndryshme prej kohës kur vinte i kamufluar si turist në një vend të izoluar.
Ishin pikërisht shkrepjet e Setboun-it ato që fiksuan ikjen e madhe të shqiptarëve në Evropë më 2 korrik 1990, të paraqitura në serinë “Exodus”, zgjedhjet e para pluraliste në serinë “Fillimet e demokracisë” dhe ngjarjet e ndodhura pas demonstratës antikomuniste të 2 prillit 1991, në Shkodër, në serinë “Trazirat dhe funeralet e prillit 1991”.
Michel Setboun: "Ishte një moment ku ishte shumë e vështirë të hyje në Shqipëri. Besoj se një pjesë e mirë e të rinjve këtu nuk e njohin atë periudhë që ishte e pabesueshme."
Michel Setboun është fotoreporteri i cili dokumentoi rënien e komunizmit në Shqipëri, luftën për pavarësi në Angola ne 1976), luftën civile në El Salvador ne 1983), revolucionin islamik iranian (1979), krizën e refugjatëve në Nigeri (1982) dhe sulmin terrorist me 11 shtator ndaj kullave binjake në New York (2001).
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.