Sfidat e shkrimtarëve, Mustafaj: Nuk jetojmë dot vetëm me të ardhurat nga shitja e librave

Shkrimtarë dhe botues ia thanë në sy Ministres së Kulturës se cilat janë sfidat që ua vështirësojnë rrugën për të mbërritur te lexuesi.

Besnik Mustafaj beson se vetëm ai dhe Ismail Kadare mund t'ia dalin të jetojnë përmes të ardhurave nga librat, teksa kërkoi për të tjerët mbështetje financiare nga shteti.

"Nuk mund të bëhesh shkrimtar vetëm gjatë fundjavës, shkrimtari shqiptar thjesht me të ardhurat e tij nga librat nuk mund të jetojë," tha Mustafaj.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha thotë se kultura e leximit është zbehur dhe përgjegjës për këtë nuk është vetëm ministria e Kulturës por edhe kryetarët e bashkive.

"Bibliotekat nuk kanë libra, shkova në Pogradec aty librat ishin të viteve '70-'80. Kishte libra anglisht të falura, domethënë një i ri aty në Pogradec duhet ta blejë librin," tha Misha.

Shkrimtarja Mimoza Ahmeti theksoi rëndësinë që ka përkthimi dhe përcjellja e librave tej kufijve.

"Përkthimi i veprave letrare shqipe jashtë, çuarja në burimin ku njihen vlerat në rang ndërkombëtar si më tha njëherë përkthyesi im gjerman "zonjë ti ke shkruar një libër shumë të bukur, por kjo është shqip, një vepër lind kur përkthehet."

Ministrja Elva Margariti, pasi dëgjoi gjithë shqetësimet, siguroi botues e shkrimtarë se institucioni që drejton do të vijojë me mbështetjen e nismave që synojnë afrimin e lexuesve me librin.

"Libri në fund të ditës është një art i cili edukon të bukurën dhe ky duhet të vazhdojë të qëndrojë si mision i yni dhe kjo duhet të jetë një nga nismat që vitin e ardhshëm të gjejmë gjithnjë e më tepër mënyra për ta mbështetur," tha Margariti.

Ky takim ishte i radhës që u zhvillua nga Qendra Kombëtare e Leximit, në kuadër të muajit të librit.

EMISIONET