Rishikim shqipes pa gegërishten

Gjuha shqipe ka nevojë të rishikohet, por jo të ndryshohet standardi i saj. Është ky thelbi i deklaratës së bërë nga kryeakademiku i Kosovës këtë të enjte në Tiranë ku u mbajt dhe 50 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit i cili prodhoi dhe standartizimin e shqipes. 

Akademia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë të dyja të mendimit se standardja e vitit 1972 është gjithëpërfshirëse, por nuk janë kundër përfshirjes së fjalëve të huazuara.

Për kreun e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja,  gjuha letrare u ka shërbyer të gjithë shkrimtarëve të mire. Ai tha se ata që e fajsojnë gjuhën standarde janë njerëzit që kanë dështuar në fushën e krijimtarisë.

Mehmet Kraja: "Gjuha letrare shqipe u shërbeu mrekullisht shkrimtarëve të mirë, më pak shkrimtarëve mesatarë dhe pak ose aspak shkrimtarëve të pazotë"

Zv kryeministri i parë i maqedonisë së veriut, Artan Grubi nuk e konsideroi gegërishten të përjashtuar nga gjuha shqipe duke thënë se ajo përdoret gjerësisht në art e kulturë.

Artan Grubi: "Në gjuhën e artit gegërishtja përdoret shumë më shumë. E shohim të përqafuar edhe nga rinia"

Për pedagogun Shezai Rrokaj, nuk duhet të ketë debate krahinore për toskërishten dhe gëgërishten e gjuhës, por të diskutohet në lidhje me ndryshimet e saj dhe rreziqet.

Shezai Rrokaj: Nuk e bëjnë gjuhën gjuhëtarët, por gjuhën e bën populli. Gjuhëtarët shikojnë sit ë unifikojnë rregullat, si flitet dhe përcaktojnë rregullat që do të përdoren për ti shtrirë edhe më gjerë tek folësit e saj”

Këto deklarata u bënë në konferencën jubilare në kujtim të 50 vjetorit të kongresit të drejtshkrimit, ku akademikët vlerësuan veprën e paraardhësve të tyre 50 vite më parë.

Në përfundim të saj u vlerësua me certifikatë mirënjohje, nderi i Akademisë, Zana Daci, një nga 87 nënshkruesit e drejtshkrimit.

EMISIONET