Pëlqeni leximin, ja çfarë rekomandon Agim Baçi

Pëlqeni leximin, ja çfarë rekomandon Agim Baçi

Publicisti, kritiku dhe eseisti Agim Baçi ka sugjeruar disa libra për të gjithë ata persona që  pëlqejnë  leximin.

Filip Roth

Një prej katër-pesë autorëve që unë sugjeroj shpesh për lexim, amerikani Filip Roth, ishte i drejpërdrejtë edhe në parashikimet e tij për lexuesit. Ai dyshonte shumë te vazhdimësia e lexuesit duke parashikuar se do vijë në bjerrje dhe se romanet do ta kenë të vështirë gjithnjë e më shumë që të kenë lexues të duruar.
Ky parashikim i Roth më ka bërë shpesh të rimendohem për momentin kur vendos të them disa autorë që duhen lexuar. Dhe Roth më ka trembur më shumë se se sa shkrimtari Danillo Kish që thoshte se “lexues të mirë ka më pak se shkrimtarë të mirë!”. Nuk më kish trembur Danillo Kish – një shkrimtar me ndjesi të forta metaforash që të ngjiten në lëkurë- pasi më dukej se paralajmëronte një përballje të fortë me metaforat e tij që e shtyjnë njeriun të mendohet gjatë. Por Roth, nje shkrimtar i angazhuar dhe i drejtpërdrejtë, më linte të kuptoja se kish prekur trishtimin e bjerrjes së leximit. Ai madje e prekte përmes personazheve të tij, të cilët duket se më shumë se gjithçkaje u druhen tundimeve.

Në romanin e tij “Del hija”, Roth ka një ftesë të hapur për lexuesit pa asnjë dallim nga kultura që zotëron, nga profesioni – ai duket sikur thotë me zë të lartë: “Seksi është një kafshë brenda teje, e nëse ti e shpërfill, nëse e injoron, nëse nuk i gjen rrugën brenda teje, ajo ‘kafshë’ të kafshon atëherë kur ti nuk e pret”.
Nuk ka rëndësi nëse ke diplomë apo jo. Nuk ka rëndësi nëse jeta të ka përkëdhelur apo jo. Rëndësi ka si e pranon dhe se si ruan vetveten nga kafsha e madhe e tundimit që rrezikon të të vijë përmes lakmisë, zilisë, dobësisë, mospranimit. Dhe në një botë ku seksualizmi është pjesë e spektaklit të përditshëm, Rothi duket si një manual i domosdoshëm për të treguar përmes leximit se çfarë na kushton mosleximi i fuqisë që ka brenda nesh dashuria.

Milan Kundera

Kur vjen puna te Milan Kundera, shkrimtarin që e sugjeroj me shumë kënaqësi, e kam gjithnjë të lehtë të rreshtoj arsye se përse unë e pëlqej dhe përse e sugjeroj. Jo se i them thjesht me “Lehtësinë e papërballueshme e të qenurit”, siç titullohet një nga romanet e tij më të lexuar, por më së shumti kur flas për “Shakanë”.
Është një roman si një stacion ku nuk ikën dot pa kuptuar atë që ka ndodhur aty. Është një ekspozitë e fortë se si funksionojnë diktaturat. Dhe gjithçka nis me një shaka, që nuk ka të bëjë me regjimin. Është thjesht një shaka, që vjen nga zemërimi i prishjes së planeve që studenti marksist, Ludovik, kishte në lidhje me bukuroshen Marketa. “Optimizmi është opium i llojit njerëzor/ Fryma e shëndoshë qelbet era marrëzi./Rroftë Trotski!/ Ludoviku”, shkruan Ludoviku. Një shaka. Por jo për një vend ku shteti ka marrë në dorë fatin e kujtdo, ku një fjalë jashtë skemave vë në punë mekanizmin absurd të fajësisë së një faji që nuk e di as vet.
Në një situatë të tillë Ludoviku humb të drejtën për studimet në universitet, humb të drejtën për të bërë ushtri dhe përfundon në qytetin minator të Ostravës, pavarësisht se ai u thotë se nuk e njihte aspak Trotskin dhe se gjithçka ishte një shaka. Fundja, këto janë diktaturat – e vërteta faktike është e pafuqishme përballë të vërtetës që vendos sistemi. E kushdo që ka jetuar në një vend diktatorial apo me autokraci të theksuar ka mundur të rrokë këtë absurditet që shitet si dëshirë e shumicës dhe në emër të tyre.

Haruki Murakami

Me dëshirë shpesh shkoj te Haruki Murakami. Ka shumë libra që do doja të ndaloja. Por duket se “Kafka në breg” është nga ato romane që tenton të vërë përpara jo vetëm dy breza të ndryshëm, jo vetëm një betejë mes braktisjes dhe dëshirës, por edhe enigmën e përhershme të letërsisë, duke sjellë një version modern të Sofokliut, ku Edipi mistifikohet dhe demistifikohet përmes Tamurës, 15 vjeçarit që braktis të atin për shkak të dyshim-ëndrrës se mund të flerë me të ëmën si hakmarrje.
Por kombinimi mes shpirtërores dhe materiales, në një botë ku rastësia dhe e menduara nuk kanë kufij ndarës, vijnë shfaqje platonike, filozofike, praktike, që kërkojnë shpjegime në një botë kur përleshen mitet, kulturat.
Për të kuptuar Tamurën kemi një shfaqje të Nakatës, një personazhi ku kohët, irealja me realen dhe e mundura me të pamundurën flenë aq afër sa njeriu nis të mendojë se cilën duhet të marrë për më domethënëse- atë që pa apo atë që ëndërroi! Por, Murakami ashtu siç e nis personazhin në një udhëtim plot enigma, ashtu shfaq edhe zgjidhjet.
Nuk është një roman moralist, e as fantastik. Është një gërshetim i gjendjeve të ngatërruara njerëzore, që nisin sidomos në moshën kur marrim udhë të gjata mendimesh, hapash, njohjesh.

Javier Mariasin

Nuk do ndaja nga dëshira për lexim të Rothit, Kunderës e Murakamit as Javier Mariasin, që zgjedh gjithmonë një varg të Shekspirit për titujt e tij të romaneve. Ai duket sikur qëndis gjithçka sipas një fabule qi ai i di fillimin, ai i di fundin. Krejt në mënyrë të paqtë vë Vdekjen përballë Dashurisë dhe i fut personazhet në një tango rrëfimesh për të kërkuar. Në fund, duket sikur e gjen vetveten duke kërkuar brenda teje.
Joshja, përgjegjësia, dyshimi vallëzojnë me ritmin e së domosdoshmes për të kapërcyer rehatinë e rreme dhe për t’u hedhur në detin që ka nevojë për meditim. Te romani “Një zemër kaq e bardhë” ai vë fjalën dhe heshtjen përballë, duke na shtyrë të besojmë se asnjë kuptim për botën nuk ka kuptim pa parë nga vetja. “Çfarë ndodh me ne kur humbasim gjumin, apo edhe më keq, kur e vrasim gjumin?”, duket sikur pyet Javier Marias, duke tentuar kështu të na japë të gjitha ngjyrat brenda zemrës sonë.

Këta janë vetëm disa prej emrave që më vijnë në mendje kur më pyet dikush, ndërkohë që pasi e mbyll shkrimin e di që emra të tjerë autorësh që kam për zemër “do më qortojnë” se përse nuk fola dhe për ta. Por, të sugjerosh për lexim duket diçka e lehtë deri kur… nisin pyetjet e tjetrit. E megjithatë, edhe kur nuk bien dakord me zgjedhjet e dikujt që na sugjeron, sërish leximi nuk do ta humbë kurrë kënaqësinë që ka lexuesi kur kërkon të bashkëndajë atë që ka përjetuar, kur kërkon të kalojë gardhin e ndjesive brenda vetes dhe të dojë ta shohë dhe te sytë e tjetrit.

ObserverKult është në këtë rrugëtim ku kërkon të ndërtojë këto mure bashkëndarje dhe unë besoj se kjo rubrikë do mbijetojë nga magjia që ka gjithnjë fuqia e bashkëndarjes së ndjesive që na shkakton leximi.

EMISIONET