Netët e poezisë, Korça bën bashkë 40 poetë nga e gjithë bota
Korça hap dyert si tradicionalisht për poetët nga e gjithë bota, të cilët për tre netë me radhë do të mblidhen për të zgjedhur vargjet më të bukura.
Në Korçë kanë nisur netët e poezisë. Edicioni i 27-të bën bashkë poetë nga trevat shqiptare dhe artistë nga e gjithë bota.
Gjatë tri netëve shkrimtarët do të interpretojnë poezitë e tyre si dhe do të njihen me traditat e qytetit juglindor.
Organizatori i aktivitetit, Eris Rusi, thotë se dyert e këtij festivali do të jenë gjithmonë hapur për dashamirësit e poezisë.
"Poetët e ftuar do kenë mundësi të jenë në kontakt dhe me krijimet më të mira poetike të qytetit të Korçës."
Pjesë e edicionit të 27-të është edhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti. Me Korçën ka lidhje të vjetra ndërsa e dashuron për shpirtin e saj autentik.
"Recitova një poezi për rininë dhe poezia ishte fill pas një kënge për pleqërinë. Rinia vjen shumë vonë, kuptimi i saj është se rinia vetë ku je i ri është një dhuratë nga natyra që ti nuk di çfarë të bësh me të. Provokon, tërheq por ti nuk je i përgatitur për atë raport."
Poetët e huaj thonë se ndihen si në shtëpi.
"Është hera ime e tretë në Shqipëri por e para në Korçë. Ndihem si në shtëpi. Duket se qytetet e botës janë bërë bashkë për të recituar poezinë botërore. Qetësia këtu te fal e të inspiron për më tepër. Jam e nderuar të marr pjesë në këtë aktivitet, duhet që të bëjmë me tepër të tilla evente".
Janë rreth 40 poetë nga e gjithë bota që janë bërë pjesë edicionit të këtij viti në përfundim të së cilit do të shpallet edhe poezia më e bukur.