Magazinë sekrete me artefaktet e “Titanik”-ut/ Sende të gjetura në fund të ujit pas përmbytjes më 1912-n
Çdo detaj që lidhet me fundosjen e anijes më të famshme në botë, vijon të zgjojë interesin e publikut edhe pasi kanë kaluar dekada. Artefakte nga Titaniku janë vlerësuar me shuma marramendëse nëpër ankande, ndërsa një magazinë që ka përmbledhur shumë të tjera mbahet sekrete për shkak të vlerës. Secili send bart me vete nga e kaluara histori të ndryshme
Një çantë dore e bërë me lëkurë aligatori dhe shishe të vogla të parfumit që ende lëshojnë një aromë të fortë, janë vetëm disa nga artefaktet e çmuara të anijes famëkeqe “Titanik” të ruajtura në një magazinë sekrete.
Ajo është pozicionuar në Atlanta, në shtetin amerikan të Georgia por vendndodhja e saktë nuk publikohet duke e argumentuar me vlerën që përmban.
Brenda, raftet janë të mbushura me mijëra artikuj: nga një vaskë e përmbysur, deri te enë qelqi të gdhendura në mënyrë të veçantë, shishe shampanje dhe butona të vegjël.
Firma amerikane, RMS Titanic që gëzon të drejtat mbi pjesët e shpëtuara të anijes, me kalimin e viteve ka nxjerrë rreth 5 mijë 500 artikuj nga vendi i mbytjes, një përzgjedhje e të cilave janë ekspozuar në të gjithë botën.
Ekspertët i kanë analizuar dhe kanë nxjerrë në dritë historitë e veçanta që sendet bartin me vete, që nga viti 1912 kur anija më e famshme në botë u godit me një ajsberg.
Ndër to bie në sy një çantë jeshile, prej lëkurë aligatori që për shkak të cilësisë ka mbijetuar me dekada në thellësi të Atlantikut të Veriut.
Sendet personale dhe dokumentet identifikuese të gjetura brenda saj tregojnë se i përkiste një milionereje 63-vjeçare. Bashkë me to, ndodhet dhe karta e inspektimit mjekësor, pasi të gjithë pasagjerët e klasit të tretë duhej të vërtetonin se nuk po transportonin sëmundje në SHBA.
Ndërsa një koleksion me shishe të vogla parfumesh, ende lëshojnë aroma pavarësisht taposjes dhe kalimit të viteve, shpjegon përfaqësuesja e ‘RMS Titanic’ duke shtuar se ishte një shitës parfumesh në bord që kishte qindra të tilla.