Lushnja feston ditën e lindjes së Shën Mërisë

Besimtarë të shumtë u mblodhën në Manastirin e Ardenicës në Lushnje për të kremtuar festën e Lindjes së Shën Mërisë nga e cila sipas Biblës erdhi në jetë Jezu Krishti

Besimtarët ortodoksë, nga zona e Myzeqesë, dhe të tjerë të ardhur nga i gjithë vendi, mes të cilëve edhe turistë kremtuan në Manastirin e Ardenicës në Lushnje, festën e Lindjes së Shën Mërisë.

"Lindja e Shën Mërisë është lindja e jetës. Është lulëzimi i gjithëçkaje, por dhe festë e bollëkut, e pasurisë dhe kamjes që janë në bazë të jetës. E shenjëtron njeriun," thotë një besimtar.

Pas meshës së  drejtuar nga mitropoliti i Amantias, kryen ritet tradicionale.

"Kanë ardhur nga të gjitha anët e vendit për ta festuar. Kjo është e përvitshme. Vijnë që në darkë, bëjnë shërbimet dhe meshën," tha prifti Dhimiter Rredhi.

Miron Cako, përgjegjës i katekizmit tregon pse festa e Lindjes së Shën Mërisë është e veçantë për besimtarët e Kishës Ortodokse.

"Kisha ortodokse nuk feston lindjen e shenjtorëve. Feston vetëm tre ditëlindje: të Krishtit, Shën Mërisë dhe Shën Johan pagëzorit sepse këta njerëz hynë në historinë e njerëzimit dhe ndryshuan fatet e gjithë historisë së njerëzimit," tha ai.

Festa e Shën Mërisë në Manastirin e Ardenicës vijoi me një koncert festiv dhe një panair me prodhimet e zonës së Myzeqesë.

EMISIONET