“Kjo është dëshmia e tragjedisë së jetuar në heshtje nga mijëra njerëz, opozitarë, disidentë dhe martirë të diktaturës së përgjakshme…”/ Shkrimi i gazetares italiane, për shkrimtarin shqiptar

“Kjo është dëshmia e tragjedisë së jetuar në

– Botohet në Itali romani “Rrugët e ferrit” i shkrimtarit Visar Zhiti –

“Kjo është dëshmia e tragjedisë së jetuar në heshtje nga mijëra njerëz, opozitarë, disidentë dhe martirë të diktaturës së përgjakshme komuniste. Një përvojë e jetuar në vetën e parë dhe e shndërruar në një rrëfim që, për shkak të karakterit të saj universal, interpreton emocionet, kujtimet, vuajtjet dhe mizoritë e padëgjuara të atyre që patën fatin e keq të përplaseshin me uniformat e policisë politike të Enver Hoxhës.  Visar Zhiti u burgos pikërisht për veprën e tij poetike, e shmangur nga dogmat mbizotëruese të realizmit socialist.  Ndodhitë e tij, që janë të njeriut, na japin një thyerje të pamëshirshme, si të papërpunuar dhe të vërtetë mbi gjendjen çnjerëzore të të burgosurve politikë të burgjeve enveriste në sistemin mizor.”

Kështu shkruhet në kopertinë të librit “Rrugët e Ferrit”, me nëntitull “Jeta ime në burgun e Spaçit”, botuar këtë vit në Itali nga Editori “Besa”, me përkthimin plot forcë të Profesor Matteo Mandalá, shef i katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Palermos, autori i shumë botimeve dhe studimeve dhe artikujve kritikë, të njohur në botën Universitare në Europë dhe me gjerë.

“Sulle strade dell’inferno” (“Rrugët e ferrit”) është shpërndarë tashmë në të gjitha libraritë e Italisë dhe ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, por dhe të shkrimtarëve dhe kritikëve italianë. Të 576 faqet e librit “Sulle strade dell’inferno” (Rrugët e ferrit), vlerësohen për dëshminë artistike dhe gjuhën e tyre tronditëse, aq sa të zhveshur, po aq aq dhe metaforike, plot dhembje si e tragjedive, por dhe me finesat lirike,

Në ballinë të librit është vendosur një pikturë e Atjon Zhitit, birit të autorit, me plot natë e dritare të shtrembëta dhe një masiv i zbardhëllyer, që më shumë se sa një hënë e madhe, duket si ortek bore a shkëmb fatal.

Dhe në përthyerjen e parë është vendosur një pjesëz nga libri, pikërisht kjo:

“Burgu i vërtetë, më i rëndë, i padurueshëm fillon kur gjithçka përsëritet. Njëshmëria. Asgjë e re nga fronti i skëterrës. E tmerrshme. Po ajo bukë e zezë e po ata policë të zinj. Ajo lopatë dhe guvë dhe po ai Vit i Ri, aspak i ri. Uria po ajo, si bora që mbulon gjithçka. Vdekja s’është më vdekje, por përsëritje e vetvetes. Puna nuk është më punë. Familja s’është familje. Njeriu nuk është më njeri. Asgjë s’është më ndryshe. Ditët janë ulëritshëm njëlloj. Si prangat, si ulërima. Si uji që rrjedh kot në çezmat e burgut. Po ai qiell e gumëzhima nën të. Telat me gjemba po ata. Tjetri po ai. Si vetvetja. S’ka më emocione. Dhe asnjë grua në ëndërr. Truall i tredhur. I harruar. I humbur. Si lëkurë kafshe të ngordhur. Diktaturë”.

Ndërsa në përthyerjen e kopertinës së pasme, është një shënim i shkurtër për autorin:

VISAR ZHITI, poet dhe shkrimtar shqiptar, në vitin 1979 u dënua me dhjetë vjet burg për poezitë e tij “dekadente dhe intimiste”, në kundërshtim me ç’detyronte realizmi socialist. Përmbledhjet e tij me poezi nga “Kujtesa e ajrit” (“Memoria del vento”, 1993) te “Dyert e gjalla” (“Le porte vive” 1995), dëshmojnë jetën në burg dhe agun demokracisë,

Ka botuar tregime e romane, të përkthyer në gjuhë të ndryshme, mes të cilëve dhe “Funerali i pafundmë” 2017.

Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1996, ministër i Kulturës në vitin 2013. Ka marrë shumë çmime për veprimtarinë e tij letrare, mes të cilëve “Ada Negri” në 1997 dhe Çmimin Ndërkombëtar “Mario Luzi”, për poezi të pabotuara.

Vepra nis me shënimin ashtu si dhe në shqip, edhe në italisht:

“Roman me personazhe reale e ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg”.

Me daljen e romanit “Sulle strade del’inferno”, gazetaria dhe njohësja e letërsisë shqipe, të përkthyer në Itali, Anna Latanzi i mori një intervistë autorit për median e vendit të saj. Visar Zhiti është i njohur në Itali me poezinë e tij dhe romanet dhe është vlerësuar me shumë çmime letrare. Ky korpus është përkthyer mjeshtërisht nga Profesor Elio Miracco dhe ka marrë shumë çmime letrare në Itali.

Ndër të tjera gazetarja shkruan:

…e rijetova emocionalisht atë kohë… Është një libër koral, i përbërë nga dhimbje dhe vuajtje.

– A ishin vërtet ato poezi kundër? – pyet gazetarja italiane. – Në çfarë fryme i keni shkruar ato? Dhe Visari përgjigjet:

– Kam dashur të shkruaj me shpirtin tim…

Siç thoshte i madhi Umberto Eco, madje duke cituar Visar Zhitin, që regjimet totalitare, donin në shërbim të tyre poezinë dhe poetët. “Nëse kompozimet e tyre nuk ishin në favor të diktaturës, ato konsideroheshin kundër dhe asnjëherë thjesht krijime të atyre që shkruanin poezi. Ashtu siç ndodhi me Visar Zhitin, i cili dërgoi një libër me poezi dhe kur regjimi lexonte vargjet kushtuar trëndafilave, (është fjala për përmbledhjen e Zhitit “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, shën. bot.) dhe jo pushtetit, ato gjykoheshin si kundërshtare të diktaturës”.

“Në atë kohë’, dëshmon Visar Zhiti, ‘kur shkruaj fshehurazi në burg, mendoja të shkruaja për të lënë një dëshmi; më vonë, kuptova se motivimet ishin shumë më të thella, më magjike dhe pothuajse të frymëzimit hyjnor…! Ne donim të krijonim lirinë tonë, sepse kur shkruan, shpik lirinë tënde dhe je njësoj si të gjithë shkrimtarët e tjerë jashtë burgut, me ata që janë në Romë, Paris, Moskë, Uashington etj. Për këtë arsye regjimi e ndalonte poezinë, sepse në atë moment je i  lire…”!

– Do të ishte e drejtë që ata njerëz që bënë keq të kërkonin falje? – pyet gazetarja italiane.

– Në Shqipëri munguan dy çështje të rëndësishme, përgjigjet Visari, – të kërkuarit falje nga ata që bënë mëkate kriminale dhe dënimin moral e ligjor të diktaturës…! Unë mund t’i fal ata që më kanë dënuar mua, por nuk mund të fal për të tjerët që janë vrarë e s’janë më, ata që kanë lënduar Shqipërinë. Kanë të drejtë të falin të pushkatuarit, – përfundon Zhiti – Poezitë e mia janë hakmarrje ime dhe falja ime…

Ky ishte dhe mesazhi që gazetarja gazetarja italiane, Anna Latanzi vuri në krye të intervistës. Është për t’u përshëndetur, por dhe për të mësuar nga kritika italiane, që ndryshe nga kritika e kompleksuar shqiptare, e sheh dhe e vlerëson kumtin njerëzor dhe tekstin e veprës, duke e ngritur në lartësinë e universales, ku kritika jonë vetëm ngurron.

Për çdo botim të Visar Zhitit në Itali ka patur jehonë në gazetat e mëdha italiane, kur për librat e tij kanë shkruar dhe Mario Luzi, poet i madh i poezisë së shekullit XX, Sebastiano Grasso, Presidneti i PEN Clubit Italian, poeti dhe gazetari i njohur, etj, deri dhe Umberto Eco, një nga mendjet më të ditura, semiolog, dijetar dhe shkrimtar me njohje botërore./Memorie.al

EMISIONET