Kadare në Panair, Helena: Po shkruan, jemi vendosur përfundimisht në Shqipëri
Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare nuk i mungoi as këtë vjeshtë panairit të librit.
Biseda të shkurtra me lexuesit dhe autografë për dashamirësit e veprave të tij.
Në një deklaratë me pak fjalë tha për mediet se ndihet i lumtur që gjendet mes lexuesve.
“Ka ardhur për lexuesit e tij dhe për të dhënë firmat.”
Kadare: Ju përqafoj të gjithëve. Lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë, ne shkruajmë për ju.”
Mes atyre që takuan autorin ishte dhe Ditioni nga Prishtina.
Me emocion e përjetojnë takimin e shkurtër edhe të rinj nga qyteti i lindjes së shkrimtarit.
“Ishte takimi im i parë me autorin.”
Bashkudhëtarja në jetë, Helena Kadare tregon se shkrimtari është duke punuar për një vepër të re por nuk e shuan kuriozitetin.
“Nuk e kam të drejtën ta them, sepse autori nuk do që të flas për këtë gjë.”
Të dy kanë lënë Francën për të jetuar përfundimisht në Shqipëri.
“I kemi mbyllur të gjitha në Francë, janë vetëm vajzat atje.”
Përkundër të dhënave se të rinjtë nuk lexojnë Helena tregon se në çdo aktivitet që shkon ndesh lexues të shumtë që tregojnë interes për librin.
“Para dy ditësh ishim në Pogradec në një kafe dhe aty erdhën shumë të rinj.”
Panairi i Librit, ngjarja më e madhe kulturore në Tiranë, përgjatë 4 ditëve bëri bashkë në Pallatin e Kongreseve shkrimtarë e lexues të shumtë.