Jeta e Nënë Terezës në Shkup/ Publikohet dokumenti i regjistrimit të popullsisë, Gonxhe Bojaxhiu shqiptare

Dëftesat e shkollës së Gonxhe Bojaxhiut. Foto me shokët e klasës në gjimnazin e përgjithshëm të Shkupit.

Kërkesa për t`u pajisur me pasaportë për të shkuar në Angli për studime. I përkasin Nënë Terezës dhe të gjitha publikohen për herë të parë.

Ndër dokumentet e nxjerra nga Arkivi i Maqedonisë së Veriut dhe që u ekspozuan këtë të enjte në Tiranë ishte dhe regjistrimi i popullsisë në vitin 1931 nga pushteti serb, ku shënohej përkatësia shqiptare e Gonxhe Bojaxhiut.

"Kemi dhe dokumentin kur motra e saj Agnesa në 1929 nxjerr pasaportën për të udhëtuar në Tiranë, kemi për herë të parë dëftesat e vitit të parë dhe vitit të dytë për Nënë Terëzën të cilat janë në Arkivin e Shkupit, kemi një dokument të regjistrimit të popullsisë në qytetin e Shkupit i vitit 1931. Theksohet se ata janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe gjuha e tyre amëtare është shqipja, ndërsa nga feja janë katolikë" thotë Muzafer Bislimi, zëvendësdrejtor i Arkivit të MVR-së.

Drejtori i Arkivit të Shqipërisë Ardit Bodo dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi thonë se këto dokumente hedhin më shumë dritë për jetën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza në qytetin e saj të lindjes.

"Një letër me shkrim dore është shumë domethënëse" tha Bido.

"Është një ekspozitë që sjell një shenjë të rëndësishme në Shqipëri" theksoi Koçi.

Të gjitha këto materiale dhe të tjera që do të zbulohen nga Arkivi i Maqedonisë së Veriut do t`i dhurohen Arkivit shqiptar.

EMISIONET