Ismail Kadare 86 vjeç, shtëpia muze e shkrimtarit në Gjirokastër qëndron e mbyllur

Ismail Kadare festoi këtë 28 janar ditëlindjen e 86. Në Gjirokastër shtëpia ku ai u lind qëndron ende e mbyllur pasi nuk kanë përfunduar punimet për ta kthyer në muze. Në Tiranë u kujtua nga akademikë e studiues ndërsa përkthyesi i tij promovoi veprën studimore “Ismail Kadare një disidencë letrare”.

Në 86 vjetorin e lindjes, shtëpia e gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës ishte e mbyllur.

Prej dy vitesh po punohet që banesa ku ai lindi dhe u rrit të shndërrohet në muze, e të mirëpres admirues të letërsisë së tij.

Vitet e fundit, ka kaluar rrallë në “Sokakun e të mareve” në qytetin e gurtë ku cilësohet i paarritshëm.

Në ditën e lindjes shkrimtari nuk doli në publik.

Jean-Paul Champseix, njeriu që i tregoi botës vlerat e shkrimtarit prezantoi mes akademikëve e studiuesve shqiptarë librin “Ismail Kadare një disidencë letrare”.

Përkthyesi francez tregon përmes veprës së tij studimore se Kadare ishte një shkrimtar disident e jo kolonë mbështetëse e regjimit të diktaturës siç shpesh herë e kanë anatemuar.

Kadare është ndër shkrimtarët më të më mëdhenj të letërsisë shqipe.

Ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel në letërsi  dhe ka marrë dekoratën më të lartë francezë si “Komandat i Legjionit të Nderit”.

EMISIONET